Fushata presidenciale e vitit 2024 në fundjavën e fundit në Amerikë. Sondazhet tregojnë se demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump kanë mbështetje thuajse të barabartë ndaj dhe çdo ditë merr rëndësi. Nëse në një palë zgjedhje tipike do të pritej që pak votues të ndryshonin mendje kaq vonë, në këtë përballje të pazakontë zgjedhore ka një ndjenjë se ajo që do të ndodhë ditët e fundit mund të ndryshojë trajektoren e garës.
Harris dhe Trump po përshkojnë vendin për të siguruar mbështetje në shtetet që kanë më shumë rëndësi. Me shkallë të ndryshme suksesi, po përpiqen të qëndrojnë të përqendruar duke ofruar një mesazh të qartë e drejt e në thelb. Në të njëjtën kohë, secila palë po investon burime masive për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje për periudhën e fundit të votimeve të hershme. Por në këto ditë kritike, fluksi i dezinformatave po intensifikohet.
Ku do të jenë Harris dhe Trump në fundjavën e fundit para ditës së zgjedhjeve?
Mjafton të shikoni axhendën e kandidatëve këtë fundjavë për të ditur se ku do të jenë ata. Po ato mund të ndryshojnë pa paralajmërim. Trump shkoi në Karolinën e Veriut, me një ndalesë në mes në Virxhinia. Asnjë kandidat presidencial demokrat nuk e ka fituar Karolinën e Veriut që nga Barack Obama, më 2008-ën por fituesi është përcaktuar me më pak se 3% në çdo palë zgjedhje që nga ai vit.
Vendimi i Trump-it për ta kaluar të shtunën atje, sugjeron se Harris ka shanse të mira për ta fituar shtetin. Por Trump po përpiqet edhe të përcjellë besim duke u ndalur në Virxhinia, shtet që ka qenë i sigurtë për demokratët që nga 2008-ta.
Ndoshta asnjë shtet nuk është më i rëndësishëm se Pensilvania, ku Trump do të bëjë fushatë sot. Gjithashtu, ai ka parashikuar një paraqitje tjetër në Karolinën e Veriut, përveç Xhorxhias, një tjetër shtet që ka anuar nga republikanët për gati tre dekada, deri në vitin 2020 kur fitoi Joe Biden me më pak se gjysmë për qind.
Harris u ndal për fushata në Karolinën e Veriut e Xhorxhia, tregues se ekipi i saj po sheh mundësi reale për fitore atje. Sot ka planifikuar të bëjë disa ndalesa në Miçigan ku aleatët e saj besojnë se është më dobët.
A do t’i përmbahen kandidatët mesazhit?
Drejtuesit e fushatës së Trump-it duan që votuesit të përqendrohen në një pyetje kyçe ndërsa përgatiten për të hedhur votën e është e njëjta pyetje me të cilën ai hap çdo tubim: A jeni më mirë sot nga sa ishit katër vite më parë?
Ekipi i Harris-it dëshiron që votuesit të mendojnë për një gjë tjetër: Cili nga dy kandidatët besojnë ata, se do të vendosë interesat e kombit mbi interesat personale?
Cilido kandidat që do të arrijë t’i mbajë votuesit në mënyrë më efektive të përqendruar tek mesazhi që kanë, në ditët në vijim, mund të fitojë presidencën. Megjithatë, për të dy kandidatët kjo ka qenë një sfidë.
Trump e nisi fundjavën duke u përballur ende me pasojat e tubimit të fundit në Nju Jork, gjatë të cilit një komedian e cilësoi Porto Rikon si një “grumbull lundrues mbeturinash”. Gjërat u vështirësuan për Trump-in të enjten kur e quajti ish-ligjvënësen Liz Cheney, një nga zërat republikanë më kritikë ndaj tij, një “skifter lufte” dhe sugjeroi se ajo nuk do të ishte aq e gatshme të dërgonte trupat amerikane në luftë, nëse ajo vetë do të ishte vënë para tytës së armës.
Ndërkohë, fushata e Harris-it po punon për të larguar vëmendjen nga komentet e presidentit Biden në fillim të javës që i përshkroi mbështetësit e Trump-it si “plehra”. Më vonë, Shtëpia e Bardhë tha se “Biden, nuk iu referua të gjithë mbështetësve por vetëm komedianit që cilësoi Porto Rikon, si “grumbull mbetjesh””. Në atë që të dyja palët besojnë se janë zgjedhjet më të pazakonta, çdo gabim i orëve të fundit mund të jetë vendimtar.
Roli që do të luajë hendeku gjinor?
Sulmi i Trump-it ndaj Cheney-t ishte veçanërisht problematik, duke pasur parasysh shqetësimet e shtuara të aleatëve të tij për votueset gra. Sondazhet tregojnë një hendek të konsiderueshëm gjinor në garë, ku në përgjithësi, Harris ka një vlerësim shumë më të mirë mes grave se rivali. Një pjesë e kësaj mund të jetë si rezultat i luftës së republikanëve për të kufizuar të drejtën për abort, që e ka dëmtuar shumë partinë e ish-presidentit.
Aleatët e Trump-it, përfshirë konservatorin Charlie Kirk, po paralajmërojnë se shumë më tepër gra se burra duket se po hedhin vota në procesin e hershëm të votimit. E pamundur të dihet se për kë po votojnë por Kirk beson qartë se ky është një lajm i keq për Trump-in.
Edhe pse ish-presidenti republikan këmbënguli se do t’i mbronte gratë, pavarësisht nëse ato “e pëlqejnë atë ose jo”, ai nuk po e ndihmon kauzën e tij, thonë ekspertët duke iu referuar sulmeve të fundit ndaj Cheney-t. Harris, e cila nëse fiton do të bëhet presidentja e parë grua e vendit, thotë se Trump nuk i kupton të drejtat e grave “për të marrë vendime për jetën e tyre, përfshirë trupin e tyre”. Mbetet për t’u parë nëse argumentat e demokrates Harris do të mund të depërtojnë mes votuesve këtë fundjavë. Nga ana tjetër, ekipi i saj beson se ende ka një pjesë të konsiderueshme të votuesve që ajo duhet të bindë. Dhe thonë se të pavendosurit janë gra që jetojnë në periferi me prirje republikane.