Bota

Estonia dhe Lituania kritikojnë Mongolinë për mosarrestimin e Putinit!

Vendet baltike Estonia dhe Lituania, dy nga mbështetësit më të zjarrtë të Ukrainës në luftën kundër Rusisë, kanë kritikuar Mongolinë për mirëpritjen e presidentit rus Vladimir Putin, pavarësisht urdhërarrestit ndërkombëtar kundër tij.

“Fakti që qeveria mongole vendosi të shtronte tapetin e kuq në vend që të arrestonte Putinin minon fuqishëm Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) dhe sistemin ligjor ndërkombëtar”, tha sot në një deklaratë ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna, duke iu referuar Gjykatës në Hagë.

ICC ka lëshuar një urdhërarresti kundër Putinit për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe Mongolia e njeh gjykatën. Megjithatë, arrestimi i tij konsiderohet i pamundur – për shkak të varësisë ekonomike të Mongolisë nga Rusia dhe fqinjit tjetër të saj Kinës.

Putini u takua sot me homologun e tij mongol Ukhnaagiin Khürelsükh, duke shënuar herën e parë që nga hyrja në fuqi e urdhrit në mars 2023, që lideri i Kremlinit udhëton në një vend që ligjërisht duhet ta ekstradonte atë në bazën e gjykatës në Holandë.

“Mongolia pati shansin historik për të kontribuar në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe ata vendosën ta refuzonin atë”, tha Tsahkna.

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis e përshkroi vendimin e qeverisë mongole për të injoruar urdhërarrestin kundër Putinit si “të papranueshëm”.

“Ky është një shembull tjetër i një sistemi të bazuar në ligjin ndërkombëtar që po lëkundet”, tha ai.