Sot në emisionin “Live From Tirana” ishte e ftuar në studio estetistja holistike Anxhela Panxhi për të na folur mbi maskat në kushte shtëpie. Si një profesioniste e fushës, Anxhela na jep këshilla se si të krijojmë maska specifike që i përshtaten llojit të lëkurës.
Gjatë gjithë historisë, njerëzit kanë eksperimentuar në kushtet e shtëpisë, por ka mënyra të shumta edhe me suplmentet ushqimore ose “superfood”. Doja ta hapja me suplementin e tërshërës, i cili nëse e bëjmë si qumësht duke e perzier me pak ujë është shumë i mirë për lëkurat sensitive, të thata dhe të ndjeshme dhe gjithashtu mund të përdoret edhe për bebat.
Si aplikohet kjo maskë me tërshërë?
Pasi e kemi bërë tërshërën qumësht e aplikojmë me pambuk në fytyrë dhe e përdorim si maskë, por tërshëra mund të përdoret edhe si tonik.
Çfarë na rekomandoni për ndërrimin e stinëve sidomos tani në periudhën e dimrit?
Ndërrimi i stinëve është një periudhë e vështirë dhe duhen përdorur elemente hidratuese për ta ushqyer lëkurën dhe për të hequr thatësinë, në kushte shtëpie mund të përdorni tërshërën ose maskën me avokado.
Si funksionon maska me avokado?
E bën pure dhe e aplikon në fytyrë, pasi është një element që balancon edhe yndyrën edhe elementin ujor në lëkurë.
Sa efikasitet kanë këto aplikime në lëkurë?
Nga eksperienca ime 10-vjeçare është e rëndësishme konsitenca e një personi, efektiviteti është i njëjti edhe me maskat profesionale.
Po në lidhje me suplementet që quhen ‘superfoode’?
“Superfood”-et i vijnë në ndihmë dietës për përkujdesin e jashtëm. Disa prej ushqimeve më të përdorshme janë: green matcha, morinja, tumeriku etj. që kanë një gamë të madhe vitaminash të cilat janë shumë të pasura në vetëm një lugë kafeje.
Si mund të aplikohen këto “superfood”-e”?
Unë rekomandoj suplementet në formën e pluhurit pa elemente ekstra. Kapsulat nuk i preferoj shumë sepse kanë konservues. Tumeriku shitet shumë me emrin kurkuma por ai është një element i tumerikut dhe i vetëm s’ka efektin e duhur. Pra duhet të blihet me emrin tumerik dhe jo kurkuma.
Çfarë maske rekomandoni që të jemi më të freskët pas një dite të lodhshme?
Për një lëkure normale, mentja është një element frekues që të jep energji. ‘Green matcha’ po ashtu ka elemente të mira antioksidantësh dhe ndikon edhe te pigmentimi në lëkurë dhe te shqisat. Për një maskë ideale do merrja një luge çaj ‘green matcha’, një pikë vaj esencial menteje dhe një lugë kos. Do t’i përzieja dhe t’i aplikoja në fytytrë edhe në pjesën e dekoltesë, e cila është shumë e rëndësishme.
Po një maskë që na e bën lëkurën më elastike?
Avokadoja është për çfarëdolloj lëkure, nuk ka persona që kanë alergji nga ajo, por në mungesë të saj, rekomandoj vaj ulliri që ka vlerat e duhura për t’i ofruar lëkurës elasticitet.
Vajrat e kokosit a janë të rekomandueshme, pasi kemi dëgjuar shumë komente në lidhje me to?
Unë personalisht nuk e rekomandoj vajin e kokosit për lëkurat sensitive dhe ato akneike pasi ai mund të krijojë bllokazh në lëkurë.
Sa i përket lëkurave akneike çfarë maske bio mund të sugjerojmë përveç rekomandimeve të dermatologëve?
Lëkura akneike është shumë komplekse edhe së brendshmi, pasi kujdesi i jashtëm nuk mjafton. Pra duhet kujdes i brendshëm dhe i jashtëm. Si maskë mund të përdoret spirolina që e qetëson lëkurën dhe përmban zink që i duhet lëkurës kundër akneve aktive.
Çfarë mund të na thoni për erëzat dhe vlerat që kanë?
Rigoni konsiderohet si antibiotik natyral ndikon te myku edhe në organizëm dhe në lëkurë. Kanella përdoret për qarkullimin e gjakut dhe në personat që janë jo shumë aktivë në përdtishmëri. Ajo duhet të përdoret vetëm tek personat që nuk e kanë alergji dhe duhet të përzihet me elemente të tjera vajore. Speci djegës nuk përdoret në fytyrë por mund të bëhen kombinime të specit pluhur me tumerik dhe xhinxher që përdoren kundër dhimbjeve me artikulacionet, nyjet, kyçet apo qarkullimin e gjakut. Por ky produkt nuk vihet kurrë në fytyrë. Hudhrën do ta rekomandoja lokalisht ku ka pak inflamacion, ose mbi një akne te vetme. Ajo është gjithashtu shumë e mirë për mykun në skalp. Lëngu i hudhrës është një ushqyes për flokun, por nuk përdoret në tërë fytyrën, pasi shkakton irritim shumë të madh.
Sa shpesh duhet të përdoren këto maska?
Maskat duhet të përdoren maksimumi 1 herë në javë. Nuk duhet të mbingarkohemi, sepse prishimin balancat e lëkurës dhe mikrobiomës.