Kate Middleton ka njoftuar se po “përparon” në rrugën e rimëkëmbjes së shëndetit ndërsa po merr trajtim mjekësor për tumorin që iu diagnostikua pak muaj më parë. Edhe pse ende nuk ka dalë nga rreziku, Princesha e Uellsit konfirmoi se sot do të mund të jetë e pranishme në festimet e Trooping the Colour, e njohur ndryshe si ditëlindja zyrtare e mbretit Charles III. Kate pritet të shfaqet në ballkonin e Pallatit Buckingham për urimin tradicional të mbretërve britanikë me rastin e kësaj feste. Do të jetë i pari aktivitet publik i saj në gati shtatë muaj.
Kate Middleton shkroi një mesazh në rrjetet sociale, shoqëruar me një foto të bërë në Windsor dhe shpjegoi se po kalon “ditë të mira dhe ditë të këqija”. Trajtimi që po i nënshtrohet do të zgjasë edhe “disa muaj të tjerë”. Në postim, ndër të tjera lexohet:
Në ato ditë të këqija, ndihesh i dobët, i lodhur dhe duhet të dorëzohesh për të pushuar trupin. Por, në ditët e mira, kur ndihesh më i fortë, dëshiron ta shfrytëzosh në maksimum këtë ndjesi. Në ditët kur ndihem shumë mirë, është kënaqësi të angazhohem në jetën e shkollës, t’i kushtoj kohë nga vetja gjërave që më japin energji e pozitivitet, si dhe të filloj të bëj disa punë nga shtëpia.
Princesha shtoi:
Mezi pres të marr pjesë në Paradën e Ditëlindjes së Mbretit këtë fundjavë me familjen time dhe shpresoj të marr pjesë në disa angazhime publike gjatë verës, por gjithashtu e di që nuk jam ende jashtë problemeve. Po mësoj të jem e durueshme, veçanërisht me pasigurinë.
Këtë e bëj duke e marrë çdo ditë siç vjen, duke dëgjuar trupin tim dhe duke i lejuar vetes të marr kohën shumë të nevojshme për t’u shëruar. Faleminderit shumë për mirëkuptimin tuaj të vazhdueshëm dhe të gjithë juve që keni ndarë me kaq guxim historitë tuaja me mua!
Një zëdhënës i Pallatit të Buckingham tha se mbreti Charles III është i kënaqur që Princesha do të jetë në gjendje të marrë pjesë në aktivitetet e së shtunës (15 qershor) dhe mezi pret të gjitha organizimet e ditës.