Një emision ku si asnjëherë më parë mendimet dhe fjalët vijnë si në jetë, të pacensuruara…Mirë, ndoshta pak të censuruara. “Pardon My French” nga Jonida Aliçkolli, të cilës këtë sezon të ri i është bashkuar në moderim Arbër Çepani, ku e vetmja gjë që nuk dinë të bëjnë është të flasin frëngjisht!
I ftuar në pjesën e dytë të emisionit ka qenë gazetari i mirënjohur i sportit në Top Channel, Endi Tufa. Pak pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri-Kroaci, ai dha një koment të përgjithshëm rreth rezultatit të barazimit dhe gjendjes së kombëtares shqiptare të futbollit. Një ndër temat që u diskutua më së shumti ishte fakti se disa futbollistë shqiptarë kanë marrë disa gjykime në rrjet rreth paraqitjes së tyre në Euro 2o24. Mbrojtësi i kuqezinjve që luan në Seria A, Elseid Hysaj ishte një prej lojtarëve më të kritikuar në përfundim të ndeshjes me Italinë për shkak të atij veprimi teksa uli kokën te gjuajtja e Barrelës duke lënë topin të përfundonte në rrjetë.
Lëvizja e tij u bë jo vetëm objekt kritikash, por edhe memesh në rrjetet sociale, ku të shumtë ishin tifozët që i kujtonin modelin e flokëve që ruajti Hysaj në atë moment. Edhe pse përkulja ishte e pakët, por e mjaftueshme që topi të kalonte sipër kokës së tij dhe të shkonte në rrjetën që mbrohej nga Strakosha. Ja cili ishte komenti i Endit për këto kritika:
Më mirë është mos flasësh nga kolltuku. Është e lehtë për ta kritikuar. Shqiptarët e kanë shumë të lehtë për të kritikuar punën e tjetrit.
Si e sheh ai këtë gjendje, duke qenë se i njeh djemtë edhe nga afër? A ndikon në performancë ky sulm që po i bëhet?
Po patjetër që ndikon. Edhe trajneri nëse do të kishte në mendje që të mos ta aktivizonte në këtë ndeshje, ndoshta vetëm nga ky sulm që po i bëhet nga tifozët, ai e vendosi pikërisht sot për mos ta dëmtuar psikologjikisht. Është për të ardhur keq, sepse Hysaj ka shumë vite në kombëtare dhe ka dhënë shumë.