Politikë

Escobar vizitoi sot Tiranën, mesazhet dhe simbolika e takimeve

Në një njoftim të fundit, Ambasada Amerikane në Tiranë ka zyrtarizuar takimet e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe njëkohësisht i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Deklarata e plotë:

“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime. Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global – veçanërisht kur të dyja vendet do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2022″, shkruhet në njoftim.

Më herët, Gabriel Escobar shprehu hapur mbështetjen për Bashën, dy ditë para Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Berisha. I shpallur “non grata” nga Amerika për korrupsion dhe i përjashtuar nga grupi demokrat, ish-kryetari po tenton të rimarrë drejtimin e PD-së. Vizitën e sotme në Tiranë, zv.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, njëherazi i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, e nisi me një vizitë një orëshe me kreun demokrat, në zyrën e tij në selinë blu.

Në përfundim të takimit, Escobar dha një deklaratë të shkurtër për mediat, duke paralajmëruar një vizitë të ardhshme të kreut demokrat në Uashington.

“Pres me kënaqësi të vijojmë marrëdhëniet me Partinë Demokratike, e po ashtu të shihemi me zotin Basha në Uashington, sa më shpejt që ai ta ketë të mundur”, – u shpreh zyrtari amerikan. Pas tij, kreu demokrat konfirmoi se po planifikonte një vizitë në Shtetet e Bashkuara e pranoi se folën edhe për rastin Berisha.