Aktualitet

Erzen Breçani paraqitet në SPAK do t’i komunikohet zyrtarisht akuza!

Erzen Breçani paraqitet në SPAK pasi do t’i komunikohet zyrtarisht akuza. GJKKO-ja vendosi të zbusë masën e sigurisë ndaj tij nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”, duke pranuar kërkesën. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-zyrtari i policisë, Erzen Breçani i investoi paratë e paligjshme që dyshohet se i kishte fituar i biri, në ndërtimin e HEC-eve.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se “Breçani kishte dijeni të plotë mbi aktivitetin e paligjshëm të të birit Eralbi Breçani”. Si e dhënë e policisë përmendet aktiviteti tregtar i “HEC DRITA ENERGY” që referuar SPAK-ut ka si administrator të riun, i cili vijon të jetë në kërkim.

Këto investime janë përfitime të paligjshme nën mbulimin që janë financime nga kredia, duke bërë të mundur shmangien nga raportimi ndaj institucioneve.

Sipas njoftimit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, më 16.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 158 akti, datë 12.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 76, datë 30.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:

– Pranimin e kërkesës; zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.B., me vendimin nr. 124., datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate dhe miratuar me vendimin nr. 87-2024-4 (1), datë 04.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij kodi.

– Urdhërohet lirimi i personit nën hetim E.B., nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.

– Urdhërohet personi nën hetim E.B., që të mos largohet nga banesa e tij e cila ndodhet në adresën ***, si dhe që të mos komunikojë me persona të tjerë, me përjashtim të atyre të cilët jetojnë në të njëjtën banesë.

– Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

– Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.