Ervin Salianji u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas vendimit të Apelit, ashtu siç lajmëroi edhe më parë.
Ai vendosi të vuajë dënimin dhe të mos pranojë propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ngujim në selinë blu.
I rrethuar nga qindra mbështetës, ai theksoi për kamerat se nuk do të dorëzohet në këtë betejë.
Pas një mbledhjeje të gjatë në selinë e PD-së, ai u prit me brohorima dhe duartrokitje nga qytetarë të cilët ishin mbledhur më parë para Drejtorisë së Tiranës, të cilët i thanë që të mos dorëzohej.
Salianji u shpreh se sakrifica e tij nuk do të shkojë dëm dhe se dita e qytetarëve dhe e demokratëve do të vijë.
“Është një betejë që nuk përfundon, nuk është një betejë e lehtë. Sakrifica pa diskutim që nuk shkon dëm. Në përballje me regjimin secili merr kostot e veta. E di që shumë prej miqve kanë vuajtur represionin e qeverisë. Ne do t’i çmontojmë banditët dhe dita e qytetarëve dhe e demokratëve do të vijë”, tha deputeti.
I buzëqeshur dhe më dy gishtat lart, ai është futur në ambientet e Drejtorisë i shoqëruar nga disa punonjës policie.
Deputeti i PD, Ervin Salianji, para se të nisej nga selia e demokratëve drejt Policisë së Tiranës për t’u vetëdorëzuar, mbajti fjalën para gazetarëve, duke e quajtur vendimin për dënimin e tij më 1 vit burg ‘pengmarrje banditeske’.
“Edhe njëherë tjetër çdo përpjekje që kam bërë dhe do të bëj është për të mirën dhe interesin publik. Këta nuk do të ngopen me të keqen, ne nuk do të ngopemi duke bërë mirë. Të forcojmë një demokraci ku të sundojë shteti i së drejtës dhe shteti ligjor.
Grupi parlamentar ka vendosur që të ngujohej, por duke qenë se jam shprehur se do të përballem kudo që ata kërkojnë, edhe në këtë pengmarrje banditeske, duke privuar lirinë, për 1 vit dhe po ashtu duke ndërprerë mandatin e dhënë nga qytetarët, do ta bëj mandatin.
Një betejë që do të frymëzojë të gjithë qytetarët. Rama thotë se nuk ka më të mirë se ata, por ka më të mirë se ata, ne vendosim sakrificën sepse e vërteta nuk ka çmim dhe do të triumfojë njësoj si opozita. Nuk kam lajmëruar asnjë protestë për ditën e sotme. Protestat do të jenë të mëdha, qytetarët kanë reaguar”, tha Salianji.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit të Tiranës, vendosi të lejë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të dënohet me 1 vit burg për veprën kallëzim i rremë.
Sipas informacioneve, Salianji do ta vuajë dënimin në Burgun e Fierit.