Vendim “për t’i shërbyer pushtetit” e quajti avokati Redi Ramaj atë që Apeli dha sot për Ervin Salianjin, duke lënë në fuqi dënimin me 12 muaj burg të Shkallës së Parë. Mbrojtja e deputetit demokrat u shpreh se kundër vendimit të Apelit do të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Eshtë e qartë, u kuptua që vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte politik dhe Gjykata e Apelit la në fuqi një vendim politik. Ky është rasti kur një deputet i opozitës dënohet për një denoncim ‘të rremë’, në mënyrë të paprovuar. Bëhet për t’i shërbyer pushtetit, që para zgjedhjeve, kundërshtarë të fortë si Salianji të mënjanohen.
Qëndrimi i Apelit dhe Shkallës së Parë ka qenë i njëanshëm, me prova të fabrikuara, me prova që nuk të çonin gjëkundi. Jemi para këtij dënimi për të mënjanuar deputetët e opozitës dhe për t’i luftuar jo më në parlament, por në gjykatë. Ky është një rast i rrezikshëm i bërë nga maxhoranca për të dënuar kundërshtarët politikë.
Çështja është, a është i formës së prerë? Sepse mund të jetë vetëm i ekzekutueshëm. Mund të shkohet edhe në Gjykatën e Lartë, që mund të vendosë edhe pezullim ose duhet të vendosë në terësi, në themel të çështjes dhe mund të kemi ndryshime. Duhet pritur rruga ligjore që do të marrë zbardhja e vendimit, do të marrë ekzekutimi nga prokuroria dhe më pas rruga parlamentare. Në çdo rast, edhe pse neni është i qartë kur flasim për vendimin e formës së prerë, parlamenti nuk duhet mënjanuar.
Për vendimin reagoi dhe Ilir Meta. Kryetari i Partisë së Lirisë tha se “kjo është një hakmarrje ndaj deputetit Salianji për denoncimet e forta që ka bërë për trafikun e drogës”.
Në Gjykatën e Apelit u prit me tensione vendimi për të lënë në fuqi dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë lidhur me çështjen “Babale”. I pranishëm në sallë bashkë me të tjerë deputetë, kryetari i grupit demokrat Gazment Bardhi hodhi akuza:
Kjo është vendimmarrja e Gjykatës së Apelit. Merr dy dëshmitarë të rremë si gjyqet politike, dëno deputetët e opozitës në këmbim të shkuarjes në Gjykatë të Lartë. Ta harrojë që do të shkojë në Gjykatë të Lartë, ai dhe tjerët!