Si çdo të premte “Paso” në prezantimin e Denis Dyrnjaja dhe Glent Nallbani ishte për t’ju shoqëruar dhe informuar mbi të rejat më të fundit rreth futbollit. Këtë episod kishte shumë të ftuar që sollën komente dhe analiza mbi situatën aktuale të futbollit. Në studio këtë herë i ftuar ishte gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku.
Fillimisht, Baku shprehu opinionin e tij dhe bëri një parashikim të asaj që e pret skuadrën e Shqipërisë në ndeshjen e nesërme me Hungarinë.
Finalja mbi finalet është ndeshja e nesërme, sepse na duhet për fazën ‘playoff’ për në “Qatar 2022”. Do ishim të kënaqur me 6 pikë. Me shumë gjasa do ta fitojmë nesër ndeshjen me Hungarinë, sepse ata nuk luajnë me lojtarin e 12-të, pra janë pa tifozë sepse janë dënuar nga UEFA. Duhet të japim maksimumin, nëse fitojmë nesër do të jetë zjarr kundër Polonisë. Me formën aktuale të lojtarëve tanë mund të mundim çdo skuadër në fushën tonë. Mos të përsërisim performancën e Kosovës në Angli.
Para pak ditësh, sporti shqiptar pësoi një humbje të madhe, teksa komentatori i njohur Kosta Grillo ndërroi jetë për shkak të koronavirusi-it pasi prej kohësh ishte i infektuar. Rreth kësaj ka folur dhe Baku, i cili shprehu keqardhje për Grillon.
Gjatë Europianit, ai udhëtonte me bashkëshorten e tij, nuk kishte vendosur rripin, pësoi aksident goxha të rëndë, por shpëtoi. Megjithatë ishte e shkruar. Ishte zëri i Kombëtares në RTSH, ka lënë një boshllëk shumë të madh. Ishte shpirtbardhë, shumë i pastër dhe pozitiv.
Gazetari, gjithashtu foli dhe për skuadrën dhe gjendjen e Hungarisë, me të cilën do të përballet Kombëtarja ditën e nesërme.
Hungaria ka shansin e fundit për të qëndruar në garë, ndaj do të na sulmojë. Kjo gjë na konvenon. Mendoj që është mirë të presim dhe ti godasim me kundërsulm. Uroj që ai që do të mbajë drejtësinë në fushë të jetë i drejtë, jo si me rastin e Polonisë.