Franca nderon Ermonela Jahon. Sopranoja shqiptare me famë botërore, anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe këngëtari italian i operës Roberto Scandiuzzi, i shquar për zërin e tij të kumbueshëm bass u vlerësuan me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe Letrave” nga Ministria franceze e Kulturës. Në faqen zyrtare të “Backstage Opera Management”, shkruhet:
Dy karriera të jashtëzakonshme, dy artistë të mëdhenj dhe dy njerëz të mrekullueshëm, karrierën e të cilëve ne e kemi ndjekur prej dekadash!
Akademia e Shkencave të Shqipërisë uroi artisten, e cila ka performuar në operat me prestigjioze të botës, duke përfshirë “Royal Opera” në Londër, “Metropolitan Opera” në Nju Jork, “Berliner Statsoper”, “Paris Champs Elysees”, “Teatro San Carlo di Napoli”, “Opera Kompania e Filadelfias”, “Opera e Marsejës”, “Arena di Verona”, “Teatro Verdi di Trieste”, “Teatro La Fenice”, “Teatri Capitoul de Toulouse”, etj.
E ftuar muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, në episodin e katërt të sezonit të dytë të podcastit “Flasim”, Ermonela Jaho u pyet mbi vendosmërinë për të prekur skenat më prestigjioze të botës dhe tha se “nuk ka formulë”.
Formula e vetme është diçka e brendshme, është ajo energjia, ajo flaka që secili prej nesh ka kur i vë qëllim vetes. Me një punë të jashtëzakonshme sepse dhe ëndrra më e bukur, edhe ajo që duket diçka e jashtëzakonshme, le të themi, do një punë shumë të madhe sepse po të kapeshin ëndrrat kaq kollaj, nuk do të kishin këtë magji. Unë e kam dashur jashtë mase. Ndoshta me kalimin e kohës kam kuptuar që këndimi ka qenë kanalizimi ku unë kanalizoja ato ndjenjat e mia të thëna, të pathëna ku fantazia fluturon dhe nuk ka limit.
Jaho solli në vëmendje realitetin me të cilin ndeshej çdo ditë në kohën kur askush nuk besonte në ëndrrën dhe ambicien e saj si dhe punën e madhe të bërë për të arritur aty ku donte.
Ashtu si Ermonela Jaho, edhe Roberto Scandiuzzi, me zërin e tij të fuqishëm, mban mbi supe interpretime të shumta në skenat botërore më të rëndësishme, si dhe një karrierë të gjatë më shumë se 40 vjeçare.