Ndërpritet seanca e tensionuar e Kuvendit, pasi deputetja e opozitës, Elda Hoti hodhi një lëndë të dyshimtë në Kuvend dhe po bëhen verifikime. Deputetët u ankuan për erën në sallë, të ngjashme me të benzinës. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali reagoi duke thënë se ajo që hodhi ishte benzinë, por demokratët thonë se ishte “parfum”.
Keni ardhur në Kuvend me benzinë me vete. Mos provokoni, mos dhunoni deputetët, jeni e përjashtuar nga seanca, dilni jashtë! Po rrezikoni jetën e deputetëve në Kuvend, do të merret SPAK me juve!
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha paralajmëroi padi ndaj deputetëve të opozitës.
Një pjesë e juaja, që nuk po i përmbahet rregullave dhe regjimit të kontrollit të brendshëm, bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Të gjitha provat do të merren, Do të bëjmë kallëzim penal.
Opozita vijon aksionin e mosbindjes civile që sot është zhvendosur në dyert e Kuvendit pasi e enjtja shënon mbajtjen e seancës plenare të radhës. Pjesa më e madhe e deputetëve demokratë mbetet jashtë sallës së seancave plenare, si të përjashtuar për aktet e dhunës në parlament, me 30 shtator. Pa sukses, ata tentuan të hynin në selinë e Kuvendit e nuk munguan skenat e përplasjeve me efektivët e gardës. Por, risia e kësaj here ishte vendosja e një gardhi metalik në hyrje.
Në të u shpalos banderola me mbishkrimin: Edi Rama, mafia. Demokratët Noka e Nallbati tentuan t’i vinin zjarrin pas spërkatjes me benzinë dhe shtynë gardistin që u afrua ta shuante. Dash Sula dogji xhaketën e tij.
Deputetët e përjashtuar vijojnë të qëndrojnë në pjesën e oborrit. Për shkak të ndërprerjes së seancës, atyre i janë bashkuar edhe kolegë që nuk janë përjashtuar, të angazhuar në pengimin e punimeve të seancës.
Madje, tensionet e shkaktuara nga opozita çuan në anulimin e dy pikave të rendit të ditës, raportimin e kreut të KLSH-së dhe interpelancën me ministren Kumbaro, të kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.
Foltorja e Kuvendit mbetet e bllokuar, pasi aty janë grumbulluar disa karrige. Spiropali apeloi që opozita t’i kthehet arsyes. Ndërkaq, risolli në vëmendje çeljen e negociatave, si “moment historik”. Fjalën e mori edhe Agron Shehaj, i cili deklaroi se “maxhoranca po mburret për gjendjen e opozitës”.
Albana Vokshi u shpreh se “Kuvendi është kthyer në burg të sigurisë së lartë”.