Bota

Erdogan: Shpresoj se Trump do t’i thotë Izraelit ta ndalë luftën!

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpreson që presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, t’i thotë Izraelit ta “ndalë” luftën. Erdogan deklaroi se një “fillim i mirë” do të ishte duke ndërprerë furnizimin e Izraelit me armë nga SHBA-të.

Trump ka bërë premtime për t’iu dhënë fund konflikteve e ne duam që ai t’i mbajë këto premtime dhe t’i thotë Izraelit “ndalu!”. Fillim i mirë do të ishte që Trump ta ndërpresë mbështetjen me armë për Izraelin, në mënyrë që të ndalet agresioni i Izraelit në tokat palestineze e libaneze.

Turqia i ka kritikuar ashpër ofensivat ushtarake izraelite në Rripin e Gazës e në Liban, si dhe ka ndërprerë tregtinë me Izraelin. Gjithashtu iu bashkua një rasti për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Presidenca e Trump-it do të ketë ndikim të madh ndaj balancave politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme.  Mbajtja e qëndrimeve aktuale amerikane do ta thellojë e zgjerojë konfliktin.

Izraeli po lufton me Hamasin, grupin e shpallur “terrorist” nga Amerika e BE-ja. Lufta, e cila ka lënë mbi 43.000 të vdekur sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, u nxit nga një sulm i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023. Në atë sulm, luftëtarët e Hamasit vranë rreth 1.200 persona në jug të Izraelit dhe rrëmbyen më shumë se 250 të tjerë, referuar autoriteteve izraelite.

Po ashtu, konflikti mes Izraelit e Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit, në mbështetje të Hamasit. Në muajt e fundit, konflikti u përshkallëzua pasi Izraeli po e bombardon pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit e Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.

Nga ana e tij, Hezbollahu ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit. Hezbollahu, i cili kontrollon Libanin jugor, është shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara ndërsa Bashkimi Europian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur por jo edhe partinë e tij politike.

Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit, si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.