Aktualitet

Erdogan në Tiranë, Turqia e tij partnerja e dytë tregtare për Shqipërinë!

Ndërsa sot Tiranën po e viziton presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ku do të marrë pjesë edhe në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, vendi i tij rikonfirmohet si një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.

Instituti i Statistikave publikoi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-gusht sipas të cilit Turqia renditet partnerja e dytë tregtare, duke zënë 8.1 % të vëllimit. Shkëmbimet tregtare me shtetin turk njohën rritje në 8 muajt e këtij viti, duke arritur në 69.4 miliardë lekë.

Referuar të dhënave për periudhën e muajve janar-gusht eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 2.7 miliardë lekë, ndërsa importet për periudhën 8-mujore llogariten 66.6 miliardë lekë. Nga Turqia, në periudhën janar-tetor janë importuar 19.3 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale si dhe 13.3 miliardë lekë material ndërtimi dhe metale. Po ashtu 7.5 miliardë lekë tekstile dhe këpucë.

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason. Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptar mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.

Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.

Pasi avioni i Erdoganit u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, rreth orës 11:35 minuta u zhvillua ceremonia shtetërore e pritjes së tij në Presidencë nga homologu Bajram Begaj. Sipas axhendës së publikuar në media, vizita fillon me takimin kokë më kokë me Presidentin e Republikës, për të vijuar me mbledhjen e Këshillit të Bashkërendimit të nivelit të lartë dhe ceremoninë e firmosjes së marrëveshjeve. Po ashtu pritet një deklaratë për mediat e Presidentit të Turqisë dhe e shefit të qeverisë Edi Rama, para inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë.

Në Rinas, Erdogan u prit nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha e ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Delegacioni shqiptar i uroi mirëseardhjen kryetarit të shtetit turk.