Aktualitet Politikë

Erdogan në Tiranë, pritja në aeroport dhe takime me Begajn e Ramën!

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan po qëndron për vizitë në Shqipëri. Në Aeroportin e Rinasit, Erdogan u prit nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha e ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Delegacioni shqiptar i uroi mirëseardhjen kryetarit të shtetit turk.

Me ceremoni zyrtare, rreth mesdite, presidenti i Turqisë u prit nga homologu Bajram Begaj. Dy krerët e shteteve patën një takim kokë më kokë dhe më pas iu bashkuan delegacionet nga të dyja palët.

Më vonë, Erdogan iu drejtua selisë së qeverisë ku rreth orës 12:20 shtrëngoi duart me kryeministrin Edi Rama, i cili zbriti shkallët e mbuluara me tapetin e kuq për ta pritur.

Në axhendë është mbledhja e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi dhe në përfundim të saj pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve që lidhen me arsimin, bujqësinë e median. Akordi për krijimin e këtij Këshilli u nënshkrua në janar 2021, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në shkurt të këtij viti. Rama dhe Erdogan do të japin një konferencë për media.

Në Ankara, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama atje më 20 shkurt, u nënshkruan gjashtë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushat e mjedisit, bujqësisë, medias e ushtarake. Turqinë, Rama e ka cilësuar “partnere strategjike” duke deklaruar se “bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të arrijë në nivele të panjohura më parë”.

Pasdite, pritet të mbahet ceremonia e përurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë nga Erdogan e Rama. Nuk do të marrin pjesë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu e as drejtues të tjerë. Komuniteti do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili do të jetë edhe drejtues i Xhamisë së Namazgjasë.

Në shtator të këtij viti u bë publike në media një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit e përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.

Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga presidenti turk, Erdogan, i cili pati deklaruar se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe se u kishte kërkuar drejtuesve të institucioneve “eliminimin” e tyre.