Rajoni

Erdogan në Beograd për takime me Vuçiçin dhe një forum biznesi!

Pas Tiranës, Beogradi është ndalesa e radhës e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili do të takojë homologun serb, Aleksander Vuçiç, në vizitën dyditore. Ceremonia e pritjes së Erdogan-it, mbahet në orën 11:00 para Pallatit të Serbisë ndërsa po qëndron nga mbrëmë në Beograd. Përveç takimit mes dy presidentëve do të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë për bashkëpunimin Serbi-Turqi. Pas takimeve, dy presidentët pritet të nënshkruajnë marrëveshje e të flasin para mediave.

Në aeroport, Erdogan u prit nga Vuçiç, i cili u shpreh se kthimi i presidentit turk në Serbi “është një tjetër mundësi për të forcuar marrëdhëniet miqësore e bashkëpunimin”.

Besoj se gjatë qëndrimit në Beograd, ne do të punojmë për të përmirësuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe politike mes shteteve tona.

Qeveria serbe ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi mes Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria e teknologjia, media dhe informacioni, rinia e sporti, si dhe menaxhimi i emergjencave. Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.

Para vizitës në Beograd, Erdogan qëndroi në Tiranë, nga ku premtoi dhurimin e dronëve kamikazë për Shqipërinë, si dhe mori pjesë në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë të ndërtuar me financim të Turqisë.

Në vizitën e Erdogan-it në Beograd, në shtator të vitit 2022, Serbia u shpreh se dëshiron të blejë dronët Bayraktar, por kjo nuk u realizua. Po ashtu, u arrit protokolli që shtetasve të Serbisë e Turqisë iu mundësonte të udhëtojnë në dy vendet respektive vetëm me letërnjoftime.

Turqia ishte e katërta në listën e shteteve nga ku Serbia importoi vitin e kaluar. Kompanitë turke janë prezente në Turqi në tekstile, ndërtim, industri mekanike, banka dhe turizëm. Dy vendet kanë marrëdhënie të mira, por nuk pajtohen për çështjen e Kosovës. Turqia e njeh pavarësinë e këtij shteti, ndërsa Serbia e refuzon.