Aktualitet

Erdogan flet për vizitën në Tiranë: Konfirmim i miqësisë së palëkundur Shqipëri-Turqi!

Pas turit të vizitave që zhvilloi në Shqipëri dhe Serbi, presidenti Rexhep Tajip Erdogan u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në avion, gjatë kthimit për në Turqi.

Ai e ka cilësuar vizitën në Shqipëri si një konfirmim të miqësisë së palëkundur mes dy vendeve, ndërsa theksoi si mjaft të rëndësishme hapjen e xhamisë së Namazgjasë që do t’u shërbejë 8 000 besimtarëve në Tiranë.

Në intervistën për mediet turke, Erdogan deklaroi se me kryeministrin Edi Rama ka shkëmbyer ide për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe çështjet globale, e veçanërisht për luftën në lindjen e mesme.

 “Ne u përcollëm vëllezërve tanë në Shqipëri, përshëndetjet e kombit tonë të dashur dhe të afërmve të tyre në Turqi”, deklaroi presidenti Erdogan, duke shtuar se gjatë takimeve në vendin tonë u theksua vendosmëria për të luftuar bashkërisht kundër organizatave terroriste.

Duke u ndaluar të vizita në Beograd, ku u mbajt takimi i katërt i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, Erdogan tha se u Nënshkruan 11 marrëveshje dhe u theksua qëllimi i përbashkët për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Presidenti turk bëri të ditur se gjatë takimeve në Serbi theksoi se Ankaraja zyrtare do të vijoj të mbështesë për procesin e dialogut Beograd-Prishtinë, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në sigurimin e stabilitetit dhe paqes së përhershme në Ballkan.