Bota

Erdhi tajfuni Bebinca, mijëra të evakuar në Shangai!

Një tajfun i fuqishëm goditi qendrën financiare të Kinës, Shangai. Tajfuni Bebinca “zbarkoi” sot rreth orës 07:30 minuta të mëngjesit me atë lokale, në zonën bregdetare Lingang Nju Siti, siç bëri të ditur Administrata Meteorologjike e Kinës. Mijëra banorë u evakuuan, ndërsa të gjitha fluturimet në të dyja aeroportet kryesore të qytetit u anuluan.

Shërbimet e trenave ndaluan dhe autostradat u mbyllën, gjithashtu. Tajfuni Bebinca është stuhia më e fortë që ka goditur Shangain në 75 vjet, referuar medias shtetërore kineze. Autoritetet lëshuan alarmin e kuq që është niveli më i lartë i rrezikut. Kjo për shkak të erërave që kaluan shpejtësinë prej 150 kilometrash në orë.

Më herët, tajfuni Bebinca kaloi edhe në Japoni e në Filipinet qendrore dhe jugore, ku nga rënia e pemëve humbën jetën gjashtë persona. Media shtetërore kineze raportoi se Bebinca pritet të lëvizë në veriperëndim, duke shkaktuar reshje të dendura shiu dhe erëra të forta në provincat Jiangsu, Zhejiang dhe Anhui.

Moti me shira, erëra të forta e përmbytje ka gjunjëzuar dhe Europën Qendrore duke shkaktuar viktima. Në Republikën Çeke u konfirmua viktima e parë. Shefi i policisë, Martin Vondrashek tha se është fjala për një person që u mbyt në lumin Krasova, në rajonin Moravskosllezski. Të paktën shtatë të tjerë figurojnë të zhdukur në Çeki. Mes tyre besohet se janë tre vetë, të cilët mund të kenë qenë të bllokuar në një makinë që u rrëmbye nga ujërat e një lumi pranë qytetit Jesenik.

Deri tani nuk ka asnjë gjurmë të automjetit. Nga ana tjetër, rreth 250 mijë familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Ndërkaq, në kryeqytetin Pragë, autoritetet morën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava. Kryeministri çek, Petr Fiala, tha se të tilla vërshime “ndodhin një herë në shekull”.

Shirat e furishëm nisën që në fund të javës së kaluar e pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Të goditura rëndë nga përmbytjet janë edhe disa zona në Rumani, ku gjatë fundjavës gjetën vdekjen gjashtë persona e një u zhduk. Si pasojë e vërshimeve, një person u mbyt edhe në Poloni e një tjetër në Austri.

Lëvizjet e trenave mes Polonisë e Republikës Çeke u pezulluan. Instituti Kombëtar i Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujit në Rumani lëshoi alarmin e kuq për qarqet Galati e Vaslui, ku në disa zona, uji arriti deri në 3 metra.