Dilema Sociale

Era Rusi: “Pandemia na ka ndihmuar t’i thërrasim mendjes, mos punojmë më në të zezë”

Këngëtarja e njohur Era Rusi, ishte sot e ftuar në studion e Top Albania Radio-s në emisionin “Dilema Sociale”.

Era Rusi si gjithmonë e qeshur dhe me pozitivitet ndau eksperiencën e saj gjatë pandemisë së COVID-19.

Në një bashkëbisedim me Eno Popin, ajo tregoi përjetimet e saj çfarë i mori kjo pandemi dhe çfarë i dha.

“Marsi mua më gjeti në Amerikë, kalova një periudhë goxha të vështirë sepse ishte diçka e panjohur si për mua dhe si për të gjithë, e pabesueshme deri diku… unë kam ardhur me avionin e fundit, më është dukur një tmerr dhe vetja ime si në ato filmat horror, e vetme në të gjithë aeroportin dhe në trurin tim mendoja se po shkoja në vendin tim të vdisja, ishte e frikshme… kam qarë 6-të orë…” -thotë Era duke kujtuar çdo moment.

E pyetur nëse dëshiron të fillojë muzikën menjëherë pasi të çlirohemi nga kjo pandemi, Era shprehet:

“Artisti, instrumentisti, aktori e ushqejnë shpirtin e tyre me artin e tyre dhe në momentin që e lë artistin pa punë është si një “zombie” që vjen vërdallë, pa shpirt…”

Për sa i përket buxhetit Era mendon se kjo pandemi iu ka dhënë një mësim artistëve, ajo shton:

“Më vjen keq për artistët, të cilët nuk kanë një nipt, nuk janë të siguruar, por deri diku mendoj se kjo situatë ka ndihmuar t’i thërrasim mendjes që mos punojmë më në të zezë… në fakt na ndihmoi të kuptojmë se nuk mjafton vetëm të këndosh ose të vësh ndonjë gjë mënjanë, por duhet edhe të paguash ca taksa, duhet të jesh i rregullt me vendin ku jeton, që nesër të kërkosh diçka mbrapsht.”

Gjatë intervistës Era dhuroi emocione dhe shumë të qeshura, gjithashtu dha edhe mesazhe që do t’i duhen çdo njeriu.