Bota Tech

Epoka e Elon Musk-ut në universin Twitter/Pushohet gjysma e punonjësve!

Me fillimin e epokës së miliarderit, Elon Musk, për Twitter-in, nisin pushimet brutale masive të gjysmës së 7 mijë e 500 punonjësve të kompanisë. Diçka jo e papritur, pasi CEO i ri e paralajmëroi pak ditë pas blerjes së platformës për 44 miliardë dollarë dhe silurimit të drejtuesve kryesorë.

New York Times u njoh me një kopje të email-it dërguar punonjësve. Mesazhi i udhëzon të shkojnë në shtëpi e të mos kthehen në zyrë ndërsa shkurtimet vazhdojnë. Email-i i shkarkimit nuk përmend numrin total të pushimeve nga puna. Aty thuhet:

Në përpjekje për ta vendosur Twitter-in në rrugë të shëndetshme, ne do të kalojmë procesin e vështirë të tkurrjes së fuqisë sonë punëtore globale. Ne e pranojmë se kjo do të ndikojë në një numër njerëzish që kanë dhënë kontribute të vlefshme në Twitter, por fatkeqësisht ky veprim është i nevojshëm për të siguruar suksesin e kompanisë në të ardhmen.

Filloi me polemika jo të vogla epoka e Elon Musk-ut në universin Twitter. Ky vendim për të pushuar gjysmën e punonjësve, së bashku me drejtuesit ishte një nga zgjedhjet e shumta që përfundoi në shënjestrën e më kritikëve, si ajo e rritjes në 8 dollarë në muaj të çmimit të Twitter blue, që ka të bëjë me një sërë shërbimesh premium të platformës.

Nisma shkaktoi edhe reagimin ironik të Ankarasë zyrtare. Pas njoftimit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi hapjen e negociatave me pronarin e ri të Twitter-it:

Për ne mund të jetë ndryshe. Me të mund të zhvilloj edhe aktivitete diplomatike.

Në vitin 2017, Elon Musk udhëtoi në Ankara për të takuar Erdoganin e për të diskutuar si të punonin bashkw për të prodhuar një makinë elektrike turke. Ideja e një bashkëpunimi u shty dhe Turqia punoi e pavarur për prodhimin e një automjeti elektrik që u prezantua këto ditë.

Por, Ankaraja është e angazhuar në një bashkëpunim me kompaninë e Musk-ut, Space X, falë së cilës Turqia lëshoi ​​dy satelitë në hapësirë, vitin e kaluar.