Bota Botë e Çuditshme

Epo, ja që e dëgjuam edhe këtë! Aeroporti i Zelandës së Re kufizon kohën e përqafimeve për të shmangur trafikun!

Përqafimi i lamtumirës me të dashurit tuaj mund t’ju sjellë në telashe në një aeroport të Zelandës së Re nëse përqafimi juaj zgjat shumë. Sipas mediave të huaja, aeroporti ndërkombëtar në Dunedin, një qytet në Ishullin Jugor, ka vendosur një kufi prej tre minutash për përqafimet.

E gjitha kjo si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të përmirësuar sigurinë dhe për të mbajtur trafikun të rrjedhshëm në zonën e tij të uljes. Një tabelë e ngritur në zonën e aeroportit paralajmëron:

Koha maksimale e përqafimit është 3 minuta. Për lamtumirën ‘e zgjatur’, ju lutemi përdorni parkingun e makinave.

Tre minuta – kufiri i ri i aeroportit të Dunedin – janë kohë e mjaftueshme për të aktivizuar hormonet e lumturisë të krijuara nga një përqafim i mirë, tha shefi ekzekutiv i aeroportit, Dan De Bono, në një intervistë. Stafi i aeroportit hartoi planin e kufizimit të përqafimit si një mënyrë argëtuese për të përforcuar sigurinë në zonën e zbritjes – duke shmangur manovrat e rrezikshme ndërsa njerëzit u zhgënjyen nga grumbullimet e trafikut.

Reagimet e para ishin kryesisht negative – me disa që e përshkruan veprimin si çnjerëzor. Tani, tha De Bono, reagimi po zbutet pasi historia është bërë virale në mediat botërore, me shumë që theksojnë se tre minuta janë goxha bujare për standardet globale.