Aktualitet Politikë

Enkelejd Alibeaj prezanton partinë e tij të re “Djathtas”!

Enkelejd Alibeaj ka prezantuar ditën e sotme partinë e tij të re, të shkëputur tashmë nga demokratët euroatlantikë të Lulzim Bashës, e po ashtu edhe prej Sali Berisha.

Partia e tij e re mban emrin “Djathtas”, dhe në krye të subjektit të ri politik qëndrojnë 4 figura të larguara nga Partia Demokratike, bashke me Alibeajn, Arbi Agalliu, Flutura Açka dhe Seladin Jakupllari.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj lexoi Kartën e Parimeve dhe Vlerave të kësaj partie të re, teksa u shpreh se bazohet në pesë shtylla kryesore themelore të lirisë: individi, prona, familja, vetëqeverisja dhe besimi.

Qëllimi i shtetit është të sigurojë këto të drejta dhe të synojë gjithmonë ruajtjen dhe rritjen e lirisë. Qeverisja nuk është qëllim por mjet. Ne besojmë te sovraniteti dhe shteti si njësi unitare, te Kushtetuta e vendit, qeverisja përfaqësuese e drejtë që garantohen nga kontrolli dhe balanca mes parlamentit, qeverisë dhe drejtësisë. Këto janë gurët e themelit dhe zbatimi me rigorozitet i Kushtetutës dhe ligjeve që rrjedhin prej saj janë baza për zhvillimin e vendit. Ne besojmë se vota e lirë dhe paprekshmëria e saj, pluralizmi i pikëpamjeve dhe respektimi i mendimit të individit janë themelet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Ne besojmë në “një qeveri të ligjeve dhe jo të tjerëve”, të institucioneve dhe respektimi i mendimit të individit janë themelet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Ne besojmë se një qeveri është më efikase dhe e pakorruptuar. Qeveria e vogël por e fortë.

Decentralizimi i pushtetit lokal dhe qendror janë parime të rëndësishme që sigurojnë angazhimin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë në çdo hallkë të saj. Qeverisja vendore është guri i themelit të sovranitetit të komuniteteve dhe afrimit të qeverisjes tek qytetarët.

Komuniteti është lidhje organike mes njerëzve, shteti është lidhje mekanike por e domosdoshme.

Për ne, grupet e interesit nuk janë as klientele dhe as vasalë të qeverisë por ndërmjetës mes shoqërisë dhe qeverisjes.

Ne mbështesim tregun e lirë, ekonominë e plotë të tregut, përfshirjen sa më të vogël të shtetit në ekonomi, pavarësinë e individit në treg dhe lirinë e paprekshmërinë e pronës private si themele të ndërtimit të një ekonomie dhe shoqërie te lirë, të shëndetshme dhe sa më të pavarur. Biznesi e individët, dhe jo qeveria, janë krijuesit e vërtetë të mirëqënies dhe punësimit.

Ne besojmë se liria e tregut është rruga më e mirë për përmirësimin dhe rritjen e ekonomisë dhe shpërndarjen sa më të drejtë të pasurisë. Ne besojmë se konkurrenca duhet të inkurajohet, ndaj ndërhyrja e shtetit dhe rregullimi duhet të kufizohen duke mos cënuar zbatimin e ligjit. Nierëzit janë më të aftë për të marrë vendime për jetën dhe begatinë e tyre sesa burokratët. Sistemi i sipërmarrjes së lirë është baza e zhvillimit dhe rritjes së ekonomisë. Ekonomia kombëtare duhet të bazohet tek prodhimi. Po ashtu shpërndarja e drejtë e aseteve kombëtare eshtë jetike për një shoqëri të drejte për këdo.

Familja është baza e zhvillimit shoqëror për ne. Rritja e një familje të shëndetshme, mbi baza të traditës dhe barazise shoqërore, është boshti i ndërtimit të shtetit dhe mirëqenies së individit.

Ne besojmë se çdo jetë njerëzore ka dinjitet dhe vlerë të paçmuar dhe një politike e drejtë mbron jetën, nderon martesën dhe familjen, si institucionet kryesore të një shoqërie shëndetshme që perqafon ndikimet kulturore jetësore të fesë dhe moralit.”, tha Alibeaj

Partia, sipas statutit, do ketë ndarje pushtetesh brenda organizmit politik.  Do krijohet një entitet garantues për ruajtjen e vijës politike dhe ideologjike të partisë dhe kryetari, njësoj si në PD do të zgjidhet me votë anëtarësie.