Blerjet e energjisë në tregun e lirë kanë hyrë në një fazë të rregullt për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, e cila për të tretën javë ka bazuar furnizimin nga importi. Të dhënat e fundit të publikuara nga vete KESH-i, tregojnë se kompania siguroi energjinë për javën e parë të tetorit për një vlerë rreth 5 milion euro duke e çuar totalin nga fillimi i vitit deri më tani në rreth 40 milion euro.
Kjo sasi ishte e ndarë në tre lotë ku në lotin e parë ishin 33 600 MWh energji për një çmim mesatar të ponderuar prej 102.52, në lotin 2 sasia ishte 6300 MWh dhe çmimi mestar i ponderuar 98.13 e në lotin 3, sasia ishte 10500 MWh, ndërsa çmimi mestar i ponderuar 85.30.
Kryesisht, gjatë këtij viti KESH ka siguruar energjinë nga prodhimi në Kaskadën e Drinit ku niveli i saj ka qenë dukshëm më i përmirësuar sesa në vitet 2021 dhe 2022 duke qëndruar mbi mesataren historike, të paktën në 6 muajt e parë të vitit.
Kjo situatë ndihmoi KESH-in që edhe shpenzimet për importe gjatë këtij viti të jenë dukshëm më të ulëta se një vit më parë kur çmimet e energjisë në bursa shënuan nivel rekord. Importet në vlerë të paktën deri më tani janë mbi 10 herë më të ulëta, ndërkohë që KESH-i gjatë këtij viti, për shkak të gjendjes më të mirë hidrike të kaskadës ka pasur mundësinë edhe të eksportojë. Këto shitje në tregun e lirë të energjisë kishin një vlerë 36 milion euro.
Aktualisht, vendi ynë është ende në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji, e shtyrë deri në fund të këtij viti teksa për shkak të kësaj, Korporatës i është ngarkuar detyra e sigurimit të furnizimit me energji duke marrë edhe një pjesë të detyrimit që më herët e kishte OSHEE-ja.
Kriza e energjisë cilësohet e zbehtë, por risqet e saj ende nuk konsiderohen të kaluara për shkak të situatës jo të qetë gjeopolitike, konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe dimrit që mbetet para. Rritja e kërkesës në muajt e ftohtë parashikohet të japë ndikim edhe tek çmimet që gjithsesi nuk pritet të arrijnë nivelet e pikut të krizës në vitin 2022 ku një MW energji u shit për 1047 euro./Monitor