Episodin e sotëm të “Paso”, ashtu siç çdo të premte në TAR u diskutuan ndodhitë më të fundit sportive. E padiskutim nuk mund të mos diskutohej ndeshja Shqipëri-Poloni e cila shkaktoi shumë polemika pas incidentit me tifozët tanë, të cilët goditën lojtarët polakë.
Të ftuar në studio, ishin Lenida Halilaj dhe gazetari i njohur Endi Tufa. Ky i fundit, i pyetur se pas kësaj ndodhie sa mundësi ka Shqipëria që të kualifikohet për në Botëror, u shpreh që janë shanset janë të pakta.
Çështja është që të fitojmë ndeshjet tona, por shanset janë shumë të vogla. Dhe para kësaj, të themi të drejtën shanset ishin të pakta. Kishim një lloj ëndrre.
Si u duk për Tufën ky incident dhe cila do të jetë e ardhmja e Shqipërisë pas kësaj? Gazetari tregon më shumë për “Paso”:
Kemi të bëjmë me shkelje administrative (gjuajtja me shishe). Personat që e bënë këtë janë në kërkim. Federata Shqiptare do të përdorë subjektivitetitin e arbitrit pasi ka dhënë përshtypje personale që nuk lejohet. Elementi i dytë i mbrojtjes që do përdoret është provokimi. Ditën e nesërme dorëzohet dosja dhe do të jetë një gjyq me dyer të mbyllura. Shishet u hodhën në një sektor, nga një grup i vogël njerëzish, aty ku u festua goli.
Po ashtu i ftuar ishte dhe Lorenc Jemini, por në një lidhje telefonike. Biseda me Jeminin, një mik të përhershëm të “Paso” pati dhe nota humori, ku Denis Dyrnjaja prezantuesi bëri një batutë mbi “botoksin” në fytyrën e ish- arbitrit. Jemini gjithashtu komentoi mbi incidentin e ndodhur në ndeshjen Shqipëri-Poloni.
Në vija të përgjithshme, arbitëroi mirë. Ai e nisi me një lloj frike, ndjeu presionin e tifozerisë dhe filloi duke dhënë faulla të lehtë. E teproi duke futur lojtarët në dhomat e zhveshjes. Lojtarët thirren te pankinat perspektive jo në dhoma. Mendoj se ishte veprim i tepruar. Të themi të drejtën, ai i këshilloi te shishja e parë, por prapë kjo ishte e ekzagjëruar. Paradoksi më i madh është se nuk i lënë të shkosh me shishe ujë, por ato shiten në stadium. Mendoj që do na dënojnë një ndeshje pa tifozë dhe 50 mijë euro.