Fjala “Pele” iu shtua së fundmi më shumë se 167 mijë fjalëve në fjalorin portugez “Michaelis”. Për 265 milionë folësit portugezë të botës, “Pele” tani mund të përdoret për të treguar diçka ose dikë të jashtëzakonshëm, kuptimi në të cilin përdoret tashmë joformalisht në Brazil. Fondacioni Pele në Instagram tha se:
Shprehja e përdorur tashmë për t’iu referuar dikujt që është më i miri në atë që bën, është përjetësuar në faqet e fjalorit.
“Pele”, tashmë në fjalor përkufizohet si i jashtëzakonshëm, i pakrahasueshëm, unik, cilësi që lidhen me “mbretin” e futbollit i cili ndërroi jetë në dhjetor në moshën 82-vjeçare. Tani për tani, fjala është përfshirë vetëm në versionin online “Michaelis”, megjithëse do të shtohet në fjalorët e shtypër në të ardhmen. Ky vendim është një rezultat i një fushate nga Fondacioni Pele, kanali sportiv “SporTV” dhe klubi i futbollit Sao Paolo Santos ku Pele luajti për pjesën më të madhe të karrierës.
Rikujtojmë, se futbollisti legjendar Pele u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë në vitin 2021 dhe u desh të shtrohej në spital në disa raste për shkak të problemeve shëndetësore. ‘O Rei’, siç njihej, lindi në Brazil, në Tres Coraçoes në shtetin Minas Gerais, më 23 tetor 1940. Ai është një kampion i trefishtë i botës (Suedi në vitin 1958, Kili 1962 dhe Meksikë në vitin 1970 ).