Aktualitet

EMRAT: Të premten propozohet drejtori i ri i Policisë së Shtetit!

E premtja shënon ditën e mbylljes së garës për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Po atë ditë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha do t’i propozojë kryeministrit Edi Rama dhe emrin fitues të dalë nga gara. Dy ditë më parë komisioni i posaçëm i ngritur për përzgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit përfundoi vlerësimin e kritereve ligjore të kandidatëve, ku u kualifikuan 11 kandidatë.

Nesër do të nisin edhe seancat dëgjimore të kandidatëve përballë komisionit të posaçëm ku kandidatët do të shpalosin platformat e tyre për drejtimin e policisë së shtetit. Komisioni i posaçëm i përbërë nga një zv.ministër i Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i policisë së Shtetit dhe kreu i AMP, do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve me pikë.

Lajmin për skualifikimin e 4 kandidatëve e dha edhe ministri Hoxha dje gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Emrat e kandidatëve që u skualifikuan nga gara janë: Shemsi Premci, Ibrahim Disha, Sami Rasha dhe Hajrulla Xhivini. Ky i fundit është i shpallur në kërkim nga policia pasi theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjykata i kishte caktuar këtë masë sigurie pasi urinoi në dyert e Gjykatës së Lartë.

Në garë vijojnë ende 11 emra të tjerë, mes tyre edhe drejtori i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda të cilit SPAK i ka sekuestruar telefonin në kuadër të hetimeve për dekonspirimin e operacionit për goditjen e bandës së vëllezërve Çopja në Elbasan.

Kandidatët ende në garë:

1 – Adriatik Tafçiu – Shef sektori Policia e Shtetit
2- Altin Mena – Zv/drejtor policie në Lezhë
3- Ardian Çipa – Drejtor policie në Gjirokastër
4- Gentjan Shehaj – Drejtor i kurrikulave në Akademi
5- Idajet Faskaj – Drejtor i Interpol
7- Ilir Proda – Drejtor policie në Elbasan
7- Lutfi Minxhozi – Drejtor i Europol
8- Neritan Nallbati – Drejtor i policisë kriminale
9- Pëllumb Seferi – Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare
10- Rebani Jaupi – Drejtor për rendin dhe sigurinë
11- Skënder Hitaj – Drejtor i policie në Durrës