Emisioni i RAI 3 për Shqipërinë hapi debat edhe në Komisionin e Medias dhe Informimit Publik ditën e sotme në Kuvend. Deputetja e Rithemelimit, Ina Zhupa solli shqetësimin në Komision se kryeministri Rama ka ndërhyrë në një media të huaj, ashtu sipas saj ka bërë edhe mediat në Shqipëri.
Më pas ka qenë fjala e deputetese socialiste Evis Kushi, e cila kritikoi opozitën që sipas saj kënaqet me denigrimin e vendit tonë nga një media e huaj, ku sipas saj duhej që të gjithë bashkë të mbronim vendin tonë.
Ndërkohë deputeti i mazhorancës, Ilir Metaj e quajti emisionin e kanalit publik italian si një triller gazetaresk të ndërtuar mbi hamendësimet e dikujt këtu në Tiranë.
Ina Zhupa: Shqetësimi juaj duhet të jetë i njëjtë me timin. E para duhet të jetë sjellja e zotit Rama në lidhje me mediat dhe me median italiane dhe e dyta duhet të kemi të njëjtin shqetësim për sjellën arrogante dhe të paligjshme që bën ajo (Spiropali) në punën e një komisioni që drejtohet nga opozita duke marrë atributet tuaj duke kthyer përgjigje për një çështje që nuk i takon. Duhet të ishit njësoj me mua. Duhet t’i kërkonit të mos flasi më në emër të këtij komisioni dhe jo të më kërkoni mua llogari pse ju mbroj juve dhe pse i kërkoj llogari zonjës Spiropali. Ama nëse të gjithë bashkohemi dhe arrijmë që të mbështesim kërkesën time e kanë për detyrim që ta bëjnë seancën dëgjimore sepse e kërkon 1/3 e anëtarëve të komisionit.
Evis Kushi: Nuk kam arritur as ta kuptoj dhe as ta besoj se si opozitarët tanë shqetësohen jo për faktin se si një televizion i huaj ngre akuza, ngre shpifje, denigron dinjitetin e Shqipërisë, e quan Shqipërinë një narko-shtet, por u shqetësoka për telefonatën e kryeministrit që as ka dashur të bëjë presion, as ka dashur t’i imponohet fjalës së lirë. Thjesht ka dashur të dëgjohet e vërteta. Dhe të mbrohet imazhi dhe dinjiteti i Shqipërisë. Ne jemi të gjithë shqiptarë këtu dhe ju nuk shqetësoheni se si denigrohet Shqipëria, quhet Shqipëria një narko-shtet, censurohet fjala e personave të akuzuar siç e dini televizioni vetë bëri hapa prapa dhe përgjigjet që kishte sjellë personi i akuzuar nuk i kishin lexuar. Pra ju nuk shqetësoheni për këto gjëra që janë kaq të rënda, por shqetësoheni se pse kryeministri kërkoi të vërë në vend dinjitetin. Pse kërkoi kryeministri të mbrojë imazhin e Shqipërisë. Kjo në fakt është e çdo shqiptari dhe jo e kryeministrit. Vetë kryeministri tha që nuk pranoi të flas për opozitën në gjuhë të huaj. Sepse tha unë kam një parim: në gjuhë të huaj nuk flas kurrë për opozitën. Çfarë parimesh kemi, çfarë problemesh kemi i kemi mes nesh. Jo të fabrikojmë këtu shpifje dhe t’i eksportojmë në Itali dhe të na vijnë nga Italia si problematika për Shqipërinë.
Ilir Metaj: Për mendimin tim ishte një triller gazetaresk, i bazuar mbi hamendësimet e dikujt që përkonin me dëshirat e dikujt tjetër. Me hipoteza pa teza apo me teza pa proteza, si të doni ju. Nuk ka asgjë të re, thjesht ishin disa copëza të marra nga gazetat e opozitës dhe asgjë e re për t’u diskutuar. Ne kemi qenë dëshmitarë që nëse do duhej të merrej ky si komision mund të ishim marrë me investigime të vërteta apo me afera të vërteta të errëta, siç janë atë që janë botuar në mediat e huaja, madje janë bërë edhe filma mbi afera kontrabandistësh, lobistësh, estetistësh, gërdecishtës.