Bota

Emigracioni, presidenti Steinmeier kërkon kompromis në Gjermani!

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje për gatishmëri për kompromis nga të gjithë të përfshirët në bisedimet ndërpartiake të javës së ardhshme për emigracionin mes një atmosfere gjithnjë e më të nxehtë në vend.

Steinmeier, roli i të cilit është kryesisht ceremonial, tha në Berlin se po ndjek konsultimet midis qeverisë së qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz dhe opozitës konservatore, në pritje të një mirëkuptimi të përbashkët mes tyre.

Jam i bindur se u takon partive të qendrës demokratike të përpunojnë zgjidhje për çështjet që po shkaktojnë shqetësim për shumë njerëz, tha Steinmeier duke shtuar se nevojitet një përpjekje e përgjithshme përtej linjave partiake.

Nisma ndërpartiake është thirrur pas një goditjeje masive vdekjeprurëse me thikë nga një 26-vjeçar sirian në një festival, në një shesh qendror në qytetin perëndimor gjerman të Solingenit, më 23 gusht. Më herët, Steinmeier u zotua të përpiqet të gjejë një zgjidhje për problemin e emigrimit të parregullt.

Ne duhet të ndërmarrim çdo përpjekje për të zbatuar rregullat për kufizimin e aksesit tashmë të vendosur dhe ato që po krijojmë tani e më tej.

Dy zgjedhje landesh, të mbajtura menjëherë pas sulmit të Solingenit, panë performanca të forta nga partitë kundër emigracionit si djathtas ashtu dhe majtas.

Po në Gjermani, dje një 29-vjeçar shqiptar i armatosur me hanxhar u arrestua pasi kërcënoi të vriste oficerët në një stacion policie në perëndim të vendit. Hetuesit besojnë se kishte motive ekstremiste islamiste.

29 vjeçari shqiptar mbërriti në stacionin e policisë në Linz am Rhein, mes Koblenz-it e Bonit, rreth orës 02:40 të mëngjesit të së premtes. Vazhdimisht thërriste “Allahu Akbar”, (Zoti është i madh) e tha se donte të vriste policët.

Oficerët e policisë që bënin roje, mbyllën derën e komisariatit dhe hyrjen në oborrin e brendshëm të tij. I dyshuari u përpoq, por nuk arriti t’i hapte me forcë, thanë prokurorët në një deklaratë. Efektivët e forcave speciale u thirrën në vendin e ngjarjes dhe e neutralizuan.

Hetuesit që kontrolluan banesën e të dyshuarit, gjetën një flamur të grupit militant Shteti Islamik të vizatuar në një mur. Ngjarja pason sulmin me thikë më 23 gusht në Solingen. Edhe një person i vrarë në një shkëmbim zjarri me oficerët e policisë pranë konsullatës izraelite në Mynih të enjten, gjithashtu dyshohet se ishte i radikalizuar.