Aktualitet

Emigracioni i paligjshëm, kryediplomati britanik David Cameron viziton Tiranën më 22 maj!

Emigracioni i paligjshëm, David Cameron vjen në Tiranë, javën e ardhshme, më 22 maj. Sipas mediave britanike, në axhendën e kryediplomatit të Londrës janë takimet me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, si dhe homologun Igli Hasani.

Shkrimi i “The Sun”: 

Rishi Sunak paralajmëron se siguria e Britanisë do të ishte në “rrezik”, nëse plani i Ruandës anulohet ndërsa ai përgatitet të udhëtojë drejt Vjenës, për bisedime mbi një goditje ndaj emigracionit të paligjshëm. Kryeministri do të takojë kancelarin austriak, Karl Nehammer në fillim të javës së ardhshme, për të bërë presion mbi veprime më të ashpra, në mbrojtje të kufijve të Europës nga kriza e emigracionit.

Ndërkohë, Sekretari i Jashtëm, David Cameron do të fluturojë për në Shqipëri, për të njoftuar një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale, që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës së njerëzve.

Një burim i Downing Street u shpreh: “Kryeministri tha se aty ku Britania e Madhe udhëheq në trajtimin e emigracionit të paligjshëm, të tjerët të ndjekin”.

Sigurisht që tani kemi 19 vende nga Republika Çeke në Itali e në Danimarkë, si dhe partitë kryesore të BE-së, si Partia Popullore Europiane, që pranojnë se një parandalues ​​i sigurt i një vendi të tretë është e vetmja mënyrë për të thyer modelin e bandave të kontrabandës e për të ndaluar varkat.

Pozicioni i laburistëve është të minojë sigurinë kombëtare. Duke thënë se do ta anulojnë skemën e Ruandës edhe kur ajo funksionon dhe duke shpallur një amnisti për emigrantët, ata do të na bëjnë kryeqendrën e emigracionit të paligjshëm në botë.

Dallimet e konservatorëve dhe laburistëve britanikë mbi mënyrën e goditjes së emigracionit të paligjshëm po bëhen një vijë e ashpër ndarëse në betejën e zgjedhjeve të përgjithshme. Vizita e kryeministrit Sunak bëhet teksa një numër në rritje vendesh në botë po deklarojnë se duan të paraqisin skemat e tyre sipas variantit të Ruandës.

Thuhet edhe se Donald Trump dëshiron një program për dëbimin e emigrantëve nëse zgjidhet president i SHBA-ve këtë vit. BE-ja po përballet me një rebelim në rritje nga vendet anëtare që kërkojnë të krijojnë skemat e tyre të dëbimit.

Kryeministrat e Çekisë e të Italisë po udhëheqin 19 vende të Unionit që bëjnë thirrje për ndryshimin e rregullave për t’i lënë ata emigrantë “në det të hapur”. Qeveria e re në Holandë, e drejtuar nga Geert Wilders tha se do të tërhiqet nga rregullat e Brukselit që i detyrojnë vendet anëtare të BE-së të strehojnë azilkërkuesit.

Ndërkaq, Lord Cameron do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar. Ai do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Një zëdhënëse e Laburistëve britanikë tha:

Konservatorët kanë humbur plotësisht kontrollin e kufijve tanë. Komanda e re e Sigurisë Kufitare e Laburistëve do të punojë me agjencitë ndërkombëtare e do të përdorë kapacitete të reja të ashpra kundër terrorizmit për të goditur bandat kriminale të kontrabandës, që minojnë sigurinë kombëtare të Britanisë.