Bota

Emigracioni dominoi presidencialet amerikane, mijëra emigrantë tentojnë hyrjen në SHBA!

Dje në ditën kur votuesit amerikanë do të zgjidhnin presidentin e tyre të ri, me mijëra emigrantë u nisën në një përpjekje për të kaluar kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas aktivistëve, ata u ndanë në dy grupe në qytetet Tapachula e Tuxtla Gutiérrez në shtetin e Chiapa-s. Raportimet e medias sugjeruan se rreth 3 mijë vetë, duke përfshirë familje me fëmijë u bashkuan për të udhëtuar në këmbë drejt veriut.

Megjithatë, shumë nga këto karvane zakonisht shpërndahen pas disa ditësh në territorin e Meksikës. Shpesh, grupet organizohen nga aktivistët. Emigracioni u kthye në një temë kyçe në zgjedhjet presidenciale të së martës në SHBA, me kandidatin republikan Donald Trump që shpesh bën komente nënçmuese për emigrantët, duke i quajtur ata “kriminelë” dhe “përdhunues”. Trump ka kërkuar dënimin me vdekje për çdo emigrant që vret një shtetas apo oficer policie amerikane.

Kandidatja demokrate Kamala Harris pati premtuar se si presidente do të punonte për mbrojtjen e kufijve dhe për të rregulluar “sistemin e prishur të emigracionit”.

Sot është një ditë e rëndësishme sepse ne do të dimë se kush do të vendoset në Shtëpinë e Bardhë, tha Irineo Mujica nga organizata “Pueblo sin Fronteras” (Njerëz pa Kufij). Mujica shtoi se fitorja zgjedhore e Trump-it ose Harris-it do të kishte ndikime të ndryshme, por të dy do të kishin përgjegjësinë për të adresuar flukset e emigracionit.

Tani nuk ka më pikëpyetje, zgjedhjet i ka fituar Donald Trump.

Shumë njerëz, duke ikur nga varfëria, dhuna dhe krizat politike në vendlindjet e tyre, zgjedhin rrugën mbi kufirin jugor të SHBA-ve. Shumë prej tyre shkojnë nga vendet e Amerikës së Jugut. Me qindra janë ata që çdo vit vdesin në rrugën e rrezikshme të veriut, shpesh për shkak të mungesës së ujit e goditjeve të valëve të nxehtësisë. Të tjerët bien viktima të bandave kriminale.