Bota

Emigracioni dhe energjia, Gjermania me sytë nga Uzbekistani e Kazakistani!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz sot shkon në ish-republikat sovjetike të Uzbekistanit e Kazakistanit për një udhëtim treditor, me ndalesën e parë në Uzbekistan për bisedime mbi emigracionin e çështje të tjera. Në Samarkand, pasdite do të nënshkruajë disa marrëveshje me presidentin uzbek, Shavkat Mirziyoyev, përfshirë një akord për të lehtësuar emigrimin e punonjësve të kualifikuar uzbekë në Gjermani e riatdhesimin e uzbekëve që kërkojnë të largohen nga Gjermania për në atdheun e tyre.

Më pas, shefi i qeverisë së Berlinit do të shkojë në Kazakistan, vendi më i madh dhe ekonomikisht më i fortë në rajon. Nesër e të martën do të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë, i planifikuar me të pesë ish-republikat sovjetike në rajon, të gjitha të ndikuara shumë nga fqinjët e “shtëpive të energjisë”, Rusia dhe Kina.

Scholz synon të zgjerojë marrëdhëniet me këto vende e ka hyrë në një partneritet strategjik me to vitin e kaluar, duke mbuluar ekonominë, energjinë, klimën dhe mjedisin. Në Kazakistan, bisedimet e tij do të përqendrohen në furnizimet me naftë e gaz në Gjermani dhe gjithashtu në sanksionet ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë e kjo pasi Kazakistani është akuzuar se ka mundësuar shmangien e tyre.

Scholz nuk po kalon momente të lehta politike brenda vendit, por ka përjashtuar mundësinë e një votëbesimi në parlament përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Në intervistën vjetore me transmetuesin publik ZDF, rikujtoi se kabineti i tij i koalicionit vazhdon të ketë shumicën në Bundestag, siç njihet ndryshe Parlamenti i Gjermanisë e shtoi se ende ka punë për të bërë.

Por, pranoi se peizazhi i thyer politik mund ta bëjë qeverisjen e vendit edhe më të vështirë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë federal.

Kam frikë se çfarëdo që të ndodhë në vitet e ardhshme, ne do të vazhdojmë të kemi situata në Gjermani në të cilat është shumë e ndërlikuar që të formosh një qeveri.

Kancelari Olaf Scholz anashkaloi një pyetje nëse ai ende i beson presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pavarësisht zbulimeve se një shtetas ukrainas dyshohet se ka sabotuar tubacionet e Gjermanisë “Nord Stream” në detin Baltik.