Universiteti i Tiranës në një njoftim të bërë në Facebook, ka bërë me dije se janë emëruar Dekanët e rinj në UT.
Në sallën e Senatit Akademik të Rektoratit u zhvillua ceremonia e emërimit të Drejtueseve të rinj të Njësive Kryesore në Universitetin e Tiranës.
Në fjalën e tij, Rektori i UT-së Prof. Dr. Artan Hoxha, përshëndeti Dekanët të cilët përfunduan mandatin e tyre të dytë dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin, arritjet e tyre si drejtues dhe kontributin që kanë dhënë për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë.
Gjithashtu Hoxha i uroi suksese Dekanëve të rikonfirmuar dhe atyre të rinj si dhe i ftoi ata që të vazhdojnë frymën e bashkëpunimit të trashëguar nga paraardhësit e tyre pasi ky 4-vjeçar do të jetë edhe më i vështirë e plot sfida.
“Falë përkushtimit, cilësisë së lidershipit në të gjitha njësitë përbërëse, si dhe kulturës së të punuarit së bashku, Universiteti i Tiranës është lider jo sepse ka emrin por sepse ka përmbajtjen për të përballuar sfidat që ky të jetë një 4-vjeçar i suksesshëm”, thuhet në njoftim.
Përkatësisht Fakulteti i Ekonomisë do të drejtohet nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti.
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha.
Fakulteti i Drejtësisë nga Prof. Dr. Dorina Hoxha.
Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë nga Prof. Dr. Mark Marku.
Fakulteti i Shkencave të Natyrës nga Prof. Dr. Eglantina Kalluçi.
Fakulteti i Shkencave Sociale nga Prof. Asoc. Dr. Edvin Lame.
Instituti i Fizikes Bërthamore të Zbatuar nga Prof. Asoc. Brunilda Daci, dhe Instituti i Studimeve Evropiane nga Prof. Dr. Aljula Jubani.