Përpjekja e parë e Neuralink për të implantuar çipin në trurin e një qenieje njerëzore hasi në një pengesë të papritur pasi pajisja filloi të shkëputej nga truri i pacientit. Pacienti, Noland Arbaugh, iu nënshtrua një operacioni në shkurt për të vendosur një çip Neuralink në trurin e tij, por funksionaliteti i pajisjes filloi të ulet brenda muajit.
Disa nga fijet e pajisjes, që lidhin kompjuterin në miniaturë me trurin, kishin filluar të tërhiqen. Neuralink nuk zbuloi pse pajisja u tërhoq pjesërisht nga truri i Arbaugh, por deklaroi se inxhinierët e saj e kanë rivendosur funksionalitetin.
Por, tërheqja e pjesshme e pajisjes nuk e ka penguar pacientin të luajë lojë shahu duke përdorur mendimet e tij. Bëhet e ditur se implanti i Arbaugh filloi të kishte probleme kur një numër i pazbuluar i fijeve të çipit u tërhoqën nga truri duke rezultuar në një ulje të numrit të elektrodave efektive.
Ndërkaq, mësohet se së fundmi rregullatori shëndetësor i SHBA-së i ka dhënë leje kompanisë Neuralink të Elon Musk për të implantuar një çip truri në një pacient të dytë, pavarësisht disa problemeve fillestare me subjektin e parë të testit. Kompania e çipit të trurit mori miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të kryer një provë me një pacient të dytë duke përdorur një procedurë të modifikuar pasi kompania propozoi të rregullonte një problem që ndodhi me subjektin e saj të parë të testit.
Rikujtojmë, se Neuralink i Elon Musk u vlerësua me rreth 5 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe ka promovuar gjerësisht suksesin e implantit të parë, duke e pozicionuar veten si një lider botëror në teknologjinë e çipave të trurit. Përpara se kompania të kryente implantin e parë njerëzor, ajo ka eksperimentuar për vite me radhë me kafshë, duke përfshirë delet, derrat dhe majmunët.