Miliarderi amerikan Elon Musk ka trazuar sot debatin mbi politikat e kontestuara të emigracionit në Evropë duke thënë qartazi se trajektorja aktuale e politikave të BE, e kombinuar me tendencat e emigracionit, do të çojë në konflikt civil brenda kontinentit.
“Nëse tendenca aktuale vazhdon, lufta civile në Evropë është e pashmangshme”, shkruante sot Musk në rrjetin e tij X (më parë i njohur si Twitter, duke i bërë jehonë të tjera shqetësimeve për pasojat sociale e politike të rrymës aktuale të emigracionit.
Deklarata e tij erdhi si reagim ndaj kritikave të komentatorit politik ruso-britanik Konstantin Kissin, i cili kritikonte vendet që mbajnë kufijtë e hapur për njerëz me kultura e vlera të ndryshme, dhe duke kundërshtuar politikanët që për arsye të paditura i mbështesin ato.
Kissin kishte denoncuar më parë ata që quante “njerëz që celebrojnë vrasjen e përdhunimin siç përshkruhet për organizatat terroriste, ndërsa në qytetet e mëdha evropiane policia vetëm rri e i shikon kur kjo ndodh”.
Një nga sfidat e ngritura nga Musk ishte mungesa e konsensusit në Evropë për rregulla të përbashkëta të shpërndarjes së emigrantëve.
Disa vende anëtare si Polonia e Hungaria kanë kundërshtuar politika të tilla duke argumentuar me të drejtë se thyejnë sovranitetin e tyre me kuotat e pranimit të emigrantëve.
Hungarezi Viktor Orban, shprehu më 6 tetor kundërshtimin ndaj politikave të azilit në BE duke akuzuar liderët se po i imponojnë rregullat në vendet anëtare.
Analisti Kissin argumentonte më herët se autori britanik Duglas Murray kishte të drejtë kur argumentonte se ‘civilizimi evropian po kryen vetëvrasje’, në librin e tij të vitit 2017 “Vdekja e çuditshme e Evropës”.
Musk ka kritikuar më parë dhe politikat e emigracionit të pandaluar drejt SHBA, që duket se ndjek shembullin e Evropës në pranimin masiv të të huajve.