Auto & Moto Tech

Elon Musk: “Nuk do të ketë prodhim të makinave Tesla në Indi”!

Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk ka thënë së fundmi se kompania e tij nuk do të prodhojë makina në Indi nëse vendi nuk i lejon shitjet e makinave elektrike. Kur u pyet nga një përdorues i Twitter se a do të ndërtojë në të ardhmen ndonjë fabrikë për prodhimin e Tesla-s në Indi, Musk tha se kjo nuk do të mund të ndodhë nën ligjet aktuale të vendit.

Tesla nuk do ndërtojë fabrika për prodhim të makinave në asnjë vend i cili nuk na lejon t’i shesim ato. 

Ekipi që u angazhua nga Musk në Indi që nga viti i kaluar, u urdhërua që të fokusohen në tregjet më të mëdha të Lindjes së Mesme dhe rajonit të Paqësorit Aziatik. Komentet e Musk vijnë pasi qeveria indiane ende nuk e ka pranuar kërkesën që të zvogëlojnë taksat e importit të makinave të markës Tesla. Liderët e qeverisë indiane kanë bërë kërkesa të shumta ndaj Musk për ta hapur fabrikën Tesla në Indi, por asnjëra nga ato kërkesë nuk u pranua nga ai.

Rikujtojmë, se prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike, Tesla ka ndaluar marrjen e porosive për automjetin e tij të ardhshëm Cybertruck jashtë Amerikës së Veriut. Sipas mediave të huaja, prodhuesi i automjeteve po bën rezervime vetëm për Cybertruck në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Siç vë në pah ‘Reuters’, Tesla nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Shefi Ekzekutiv, Elon Musk ka thënë se Tesla do të nisë prodhimin e Cybertruck vitin e ardhshëm në fabrikën e saj në Austin, Teksas.

Sjellim në vëmendje se investitorët në Twitter kanë paditur Elon Musk dhe platformën e mediave sociale për trajtimin e ofertës së miliarderit prej 44 miliardë dollarësh për kompaninë. Sipas pretendimeve të tyre, ai ka shkelur ligjet e korporatave të Kalifornisë në një sërë mënyrash. Ata akuzojnë shefin e Tesla-s për sjellje të gabuar pasi deklaratat e tij të rreme dhe manipulimi i tregut kanë krijuar kaos në selinë e Twitter në San Francisko.