Elon Musk do të “shpërblejë” një milion dollarë këdo që nënshkruan peticionin e tij online për të drejtën e posedimit të armës në SHBA.
Miliarderi premtoi në një tubim të shtunën në mbështetje të kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, se do të zgjidhte rastësisht një person nga nënshkruesit e peticionit të tij çdo ditë deri në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Fituesi ishte një burrë i quajtur John Dreher. Kriteri i vetëm, sipas Musk, ishte se ai kishte nënshkruar peticionin e tij në favor të amendamentit të parë dhe të dytë të Kushtetutës së SHBA, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të mbajtur armë.
“John nuk e kishte idenë, meqë ra fjala,” tha Musk ndërsa i dorëzoi çekun Dreher.
Paratë janë shembulli më i fundit se si Musk po e përdor pasurinë e tij për të ndikuar në garën e presidenciale midis Trump dhe sfidueses demokrate Kamala Harris.
Ka mbetur më pak se një një muaj deri në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump vazhdojnë fushatën intensive.
Rivalët Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen në muajin e fundit të fushatave të tyre që të fitojnë terren në komunitetet ku mund të kenë mbështetje më të vogël.
Sondazhet tregojnë se Nënpresidentja Harris gëzon mbështetje më të madhe mes votueseve gra. Gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut, zoti Trump u zotua t’i mbronte gratë, për të cilat tha se janë më të varfra, me më shumë probleme shëndetësore dhe më pak të sigurta sesa kur ai ishte president.
“Po harxhojnë më shumë para për ushqimet dhe gjithçka tjetër se sa shpenzonin katër vjet më parë. Janë më të stresuara, më të dëshpëruara dhe të pakënaqura se sa ishin katër vjet më parë. Unë do t’i rregulloj të gjitha këto probleme”, u premtoi zoti Trump grave amerikane.
Qasja ndaj abortit është një nga arsyet se pse zoti Trump renditet pas demokrates Harris mes votueseve gra. Ai emëroi në Gjykatën e Lartë pjesëtarë që ndihmuan në dhënien fund të një ligji federal mbi 50 vjeçar për mbrojtjen e abortit.
Më shumë se njëzet shtete kanë vënë kufizime për abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 2022, mes tyre edhe Xhorxhia. Zonja Harris tha në tubim se këto votime kanë të bëjnë me liritë e grave.
Por nga ana tjetër, republikani Trump kryeson mes votuesve burra.
Përpjekjet për të shtuar mbështetjen për zonjën Harris mes burrave përfshijnë edhe një reklamë nga “Projekti Linkoln” që është kundër zotit Trump. Reklama thotë se Harris është më e mira për klasën e mesme dhe u kërkon burrave të votojnë për të.
Ekonomia vazhdon të jetë çështja kryesore për shumicën e votuesve. Zoti Trump thotë se do të tërheqë investime të huaja dhe hapë më shumë vende pune.