Ekipi ligjor i Elon Musk i është përgjigjur padisë së Twitter ndaj tij, duke thënë se kompania në fjalë po kërkon një proces të shpejtë. Si përgjigje ndaj tyre, ekipi i Musk ka kërkuar që procesi të mos fillojë deri vitin tjetër. Twitter ka kërkuar që procesi të fillojë në mes të shtatorit, duke arsyetuar kërkesën e tyre për përshpejtimin e gjërave duke qenë se marrëveshja mes Musk dhe Twitter për bashkimin e kompanive ka 24 tetorin si datën e fundit për kompletim.
Gjithsesi, ekipi i Musk ka kërkuar që procesi të mos fillojë deri me 13 shkurt të vitit 2023, si datë më të hershme. Mediat e huaja shkruajnë se Twitter ka refuzuar që të komentojë mbi çështjen, teksa vunë në pah ankesën fillestare të cilën ata e paraqitën në fillim të kësaj jave. Twitter e paditi Musk më herët gjatë kësaj jave pasi që ai zyrtarisht tentoi që të tërhiqet nga marrëveshja e blerjes së kompanisë me vlerë prej rreth 44 miliardë dollarë.
Thuajse menjëherë pasi që ai tha se do të tërhiqet nga marrëveshja, kreu i bordit të Twitter, Bret Taylor, tha se kompania e tij do ta dërgojë Musk në gjykatë. Arsyeja kryesore e Musk për kërkesën e tij të për t’i dhënë fund marrëveshjes së bashkimit, është se Twitter nuk i ka dhënë atij mjaftueshëm të dhëna për të bërë një vlerësim të pavarur mbi përhapjen e llogarive të rreme dhe “spam” në platformën Twitter, bëri të ditur ekipi ligjor i miliarderit javën e kaluar. Ndërsa me 19 korrik do të jetë një seancë dëgjimore prej 90 minutash në të cilën do të vendoset se kur do të fillojë procesi gjyqësor mes të dy palëve.