Miliarderi Elon Musk pret që përpara çdo gjëje tjetër, Inteligjenca Artificiale (IA) të përdoret nga qeveritë në mbarë botën për të prodhuar armë. Përmes një lidhjeje me video, pronari i “Tesla”-s, “Space X”-it dhe “Twitter”-it mbajti një fjalim, në samitin vjetor të Këshillit të CEO-ve të organizuar nga “The Wall Street Journal” (WSJ) në Londër.
Në këtë samit, shefat ekzekutivë diskutojnë mënyrat si ata operojnë në botën e biznesit përpara një audience globale.
Unë mendoj se ne përgjithësisht operojmë me një supozim të madh se qytetërimi është i fortë dhe asgjë nuk mund të rrëzohet, një ndjenjë që ka qenë e zakonshme gjatë historisë midis perandorive, përpara se ato të shkatërroheshin. Ekziston rreziku që Inteligjenca Artificiale të përmirësojë, eliminojë ose kufizojë rritjen e njerëzimit.
Ekziston një element i inteligjencës që është një shpatë me dy tehe. Njësoj si një xhind që mund t’ju japë çdo gjë që paraqet rrezik. Unë dyshoj se një qeveri mund të përdorë Inteligjencën Artificiale si armë. Pra, të kesh armë më të avancuara në fushën e betejës që mund të reagojnë më shpejt se njeriu, në të vërtetë është ajo që është në gjendje të bëjë IA-ja. Çdo luftë e ardhshme midis vendeve të përparuara ose të paktën vendeve të afta për të përdorur drone do të çojë në shumë luftëra me dronë.
Edhe në të kaluarën, Musk ka paralajmëruar kundër rreziqeve të Inteligjencës Artificiale, duke vënë në dukje se e përkrah, por se duhen vendosur rregulla të qarta që të mos kthehet në një Terminator shkatërrues për njerëzimin.
Në fillim të këtij muaji, pronari i “Twitter”-it njoftoi se do të tërhiqej nga pozicioni i shefit ekzekutiv, ndërsa zbuloi se Linda Yaccarino do të ndërhyjë për t’u fokusuar në operacionet e biznesit. Musk zgjodhi të qëndrojë në krye të dizajnit të produkteve e të teknologjisë së re.