Elon Musk njoftoi se do të zhvendosë nga Kalifornia në Teksas selitë e dy kompanive, SpaceX dhe X duke përmendur një ligj të ri në Kaliforni për identitetin gjinor si “shtysën e fundit” për marrjen e vendimit. Miliarderi, i cili javën e kaluar shprehu mbështetjen për republikanin Donald Trump për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, po vendos në Teksas pothuajse të gjitha selitë e kompanive që zotëron, përfshirë Teslan në vitin 2021.
Njeriu më i pasur në botë e ndryshoi rezidencën e tij në vitin 2021 nga Kalifornia për në Teksas, shtet i cili nuk ka tatim shtetëror mbi të ardhurat për banorët. Një ligj i ri në Kaliforni, i cili i ndalon drejtoritë arsimore që të kërkojnë nga mësuesit t’i njoftojnë prindërit kur një nxënës ndryshon identitetin gjinor ose orientimin seksual, ndihmoi në nxitjen e njoftimit nga Musk.
Për shkak të këtij ligji dhe shumë të tjerëve që i paraprinë e që vë në shënjestër familjet dhe bizneset.
Musk e shpjegoi vendimin në rrjetin X ndërsa ka një vajzë transgjinore.
Vitet e fundit, shefi i kompanive SpaceX dhe Tesla është shprehur hapur për politikën në vend dhe ka kritikuar shpesh administratën e presidentit Biden, si dhe qëndrimet e demokratëve për çështje të ndryshme, përfshirë të drejtat transgjinore dhe emigracionin.
Historikisht, votuesit në Kaliforni i kanë mbështetur kandidatët demokratë, ndërsa Teksasi konsiderohet një bastion i fuqishëm republikan. Musk tha se zyra kryesore e SpaceX-it do të zhvendoset në një objekt ekzistues në Boca Chica, Teksas, ndërsa X, në Austin.
Nuk është e qartë se në çfarë shkalle do të transferohen nga Kalifornia në Teksas vendet e punës dhe objektet e kompanive të tij.
Kompania SpaceX ka një seli madhështore pranë qytetit Los Anxhelos në Kaliforni, një qendër të rëndësishme ku mijëra punonjës ndërtojnë raketën e fuqishme Falcon 9, kapsulat Dragon për astronautët dhe disa satelitë.
Në vitin 2021, Musk zhvendosi zyrat qendrore të firmës Tesla nga Kalifornia në Teksas, por vitin e kaluar tha se Kalifornia do të mbetet qendra për inxhinierinë. Më herët këtë vit, çoi nga shteti Delauer dokumentat ligjore të themelimit të korporatës SpaceX, pas një vendimi të një gjykatëseje që anuloi planin e kompensimit të Musk-ut prej 56 miliardë dollarësh nga kompania Tesla, siç ishte rënë dakord në vitin 2018 përmes një vote nga aksionerët.