Bota Tech

Elon Musk dështon?! X tashmë vlen 80% më pak se kur u ble nga miliarderi!

Platforma e mediave sociale X, e njohur më parë si Twitter vlen pothuajse 80% më pak se dy vjet më parë kur Elon Musk e bleu atë, sipas vlerësimeve nga gjiganti i investimeve ‘Fidelity’. Sipas mediave të huaja, X nuk tregton më publikisht pasi Musk shpenzoi 44 miliardë dollarë për ta blerë atë në tetor të vitit 2022.

Megjithatë, ‘Fidelity’ zbulon atë që beson se është vlera e aksioneve të tij të X dhe këto vlerësime shërbejnë si një barometër për “shëndetin e përgjithshëm të kompanisë”. Deri në fund të gushtit, ato aksione kishin vlerë vetëm 4.2 milionë dollarë.

Ky vlerësim i ri shënon një rënie prej 24% në vlerë nga ajo që ‘Fidelity’ vlerësoi në fund të korrikut. Kjo përfaqëson një rënie marramendëse prej 79% nga 19.66 milionë dollarë që ‘Fidelity’ vlerësoi se aksionet kishin vlerë në tetor 2022 kur Musk bleu Twitter.

Vlerësimi i ri nga ‘Fidelity’ nënkupton se X tani vlen vetëm 9.4 miliardë dollarë, shumë larg nga 44 miliardë dollarë që pagoi Musk.  Sidoqoftë, investitorët e tjerë mund të vlerësojnë X ndryshe.

Rikujtojmë se, Elon Musk, CEO i SpaceX dhe Tesla, është në rrugën për t’u bërë trillioneri i parë në botë, sipas një raporti nga Informa Connect Academy. Me një pasuri aktuale prej rreth 250 miliardë dollarësh, Musk ka parë një rritje të jashtëzakonshme të pasurisë së tij, duke e bërë atë njeriun më të pasur në planet. Raporti parashikon se ai mund të arrijë kufirin e 1 trilion dollarëve deri në vitin 2027, duke pasur parasysh një rritje mesatare prej 110% në vit.