Sport

Eliminatoret e “Katar 2022”, sonte përballja e Shqipërisë me Andorrën!

Pas humbjes së thellë ndaj Anglisë, sonte në 20:45, Shqipëria luan ndeshjen e fundit të fazës eliminatore të Botërorit Katar 2022. Në “Air Albania” vjen Andorra, në një sfidë që duhet fituar për të vendosur rekordin e ri historik të golaverazhit, si edhe për të siguruar vendin e tretë në Grupin I. Në konferencën për shtyp të një dite më parë, trajneri Reja kërkoi të gjendet motivimi i duhur për të fituar me Andorrën, duke harruar humbjen 5-0 me Anglinë në Wembley, përballë asaj skuadre me shumë vlera në çdo drejtim.

Andorra është përmirësuar, fituam vetëm 0-1 në fushën e tyre, e merituam fitoren por ishte e vështirë, më kujtohet edhe barazimi 2-2 ndaj Andorrës në Shqipëri, një nga ndeshjet e mia të para. Eshtë një ekip që gjithmonë na ka bërë të vuajmë. Duhet të kemi fokusin dhe përqendrimin e duhur. Kemi gabuar me Poloninë, por kemi treguar vlera në ndeshjet e tjera. Na duhet një sforco e fundit, për të mbyllur mirë këtë fazë kualifikuesesh.

Me shumë mungesa, me një stadium të boshatisur dhe pas një humbjeje të papritur, Shqipëria do të kërkojë ta mbyllë me fitore edicionin e këtyre kualifikueseve të Botërorit.

Reja duhet t’i bëjë llogaritë pa shumë titullarë, të cilët për shkak dëmtimi dhe kartonësh, nuk do të jenë të disponueshëm. Nga minuta e parë, në portë pritet të luajë sërish Strakosha, i cili në mbrojtjen me tre, para tij do të ketë një repart të improvizuar. Pa Kumbullën, Gjimshitin, Ismajlin e Veselin, trajneri italian pritet t’i besojë Mihajt, Dermakut e Hoxhallarit. Nga krahët, Hysaj shihet si i pazëvendësueshëm, ndërsa në krahun tjetër Lenjani është favorit për të marrë një fanellë titullari.

Me shumë mundësi, Ramadani e Laçi do të jenë muskujt e mesit të fushës, ndërsa me shumë gjasa, Bajrami pritet të ketë detyrën e “trurit” të skuadrës në këtë përballje, duke marrë besimin për ta nisur si titullar, për të dytën ndeshje radhazi.

Në sulm, sikur të mos mjaftonte Broja i dëmtuar apo Cikalleshi i pezulluar, edhe Bekim Balaj nuk është stërvitur në seancën e fundit. Në të tilla rrethana, pritet të luajnë nga minuta e parë Uzuni dhe Seferi, me sulmuesin e Tiranës që është bashkuar në orët e fundit me skuadrën përfaqësuese.  Me një ekip të ndryshuar në pjesën më të madhe, Shqipëria kërkon një fitore që duhet për të ruajtur vendin e tretë në grup dhe për arritur kuotën rekord të 18 pikëve.