Sport

Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”, Reja fton 28 lojtarë

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Edoardo Reja shpalli listën me 28 lojtarë të ftuar për tre sfidat e ardhshme, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Më 25 mars, kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Andorrës dhe tre ditë më vonë presin Anglinë, në Tiranë. Takimi i tretë zhvillohet më 31 mars ndaj San Marinos, sërish në transfertë. Sa i përket risive,  për herë të parë me Kombëtaren grumbullohen Nedim Bajrami e Mario Mitaj, si dhe rikthehet pas shumë kohësh, Arlind Ajeti. Mungesat e mëdha janë Abrashi e Sadiku.

 

Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, i cili për herë të parë i bashkohet grupit. Eshtë lojtar i cili po paraqitet mjaft mirë tek Empoli. Prej një viti kemi qenë në kontakt me të dhe tani ka vendosur të jetë pjesë e Kombëtares sonë. Të shpresojmë që do të na ndihmojë!. Një tjetër është Mario Mitaj, djalë i ri dhe me potencial që ka spikatur me AEK-un e Athinës në Greqi, ka mundësi të përmirësohet më shumë por ndërkohë do të fillojë të jetë pjesë e Kombëtares A, në mënyrë që të nisë të ambientohet për të ardhmen, sepse ende është shumë i ri. Më pas kemi Çokajn, Kallakun, të gjithë lojtarë të ekipit Kombëtar U-21 dhe gjithashtu Kamberi, i cili për arsye të ndryshme, në fillim prej COVID-it dhe më pas për shkak të kufizimeve në mbarë Europën, me klubet që i pengonin lojtarët të grumbulloheshin me kombëtaret, nuk e kemi patur në dispozicion më parë. Mendoj se ka ardhur momenti i duhur dhe tani më në fund mund ta shohim në aksion me ne.

Tekniku italian shpreson që lojtarët të vijnë në gjendje optimale në këto sfida. Gjithashtu, Reja kërkon përqëndrim maksimal nga Kombëtarja para Andorrës, që ai e cilëson si duelin më të rëndësishëm e pret nga skuadra të japë maksimumin. Po ashtu, trajneri i Shqipërisë shprehet se në këto sfida do të mund të tregojmë se sa jemi rritur e se tani përgjegjësia është më e madhe, pasi jemi ngjitur një kategori më lart në Ligën e Kombeve dhe pritshmëritë janë shtuar. Në fund, Reja i bën thirrje qeverisë, që të pranojë kërkesën e FSHF-së për lejimin e 30% të tifozëve në stadium ndaj Anglisë. Kjo pasi distanca fizike mund të ruhet shumë lehtë dhe sipas tij, risqet për përhapjen e koronavirusit janë inekzistente.