Një lajm i trishtë vjen nga Eleni Foureira. Këngëtarja me origjinë shqiptare nuk do të jetë pjesë e Festivalit Europian vitin e ardhshëm.
Fillimisht u aludua se ajo nuk dëshironte të përfaqësonte më Qipron në edicionin e radhës së “Eurovision” por në fakt nuk është aspak kështu.
Ylli i “Fuego” e pret me padurim pjesëmarrjen në spektaklin më të madh të muzikës në Europë por i frikësohet Koronavirusit. Eleni do të rikthehet në “Eurovision” por vetëm kur gjërat në lidhje me pandeminë të jenë rregulluar dhe spektakli të ketë rregulla strikte sa i përket kësaj çështjeje.
Këtë lajm e ka bërë të ditur gazetari Giannis Poulopulos në emisionin televiziv grek të mëngjesit ‘Eftychite’. Ai zbuloi se një burim nga Panik Records, labeli i Elenit, konfirmoi se këngëtarja e “Fuego” nuk do të konkurronte në “Eurovision 2021” për shkak të Covid-19.
Përfaqësues pranë saj thanë se të gjithë e respektojnë dhe e kuptojnë plotësisht vendimin. Më tej thuhet se marrëdhënia e 33-vjeçares me ekipin në Qipro nuk është thjesht profesionale. Ajo është ndërtuar mbi dashurinë dhe respektin e vërtetë mes dy palëve dhe ftesa është gjithmonë e hapur.