Grabiti xhiron ditore të 6 karburanteve që kishte nën menaxhim, pranga një 55-vjeçari në Elbasan. Mësohet se shuma e vjedhur kap vlerën e 5 milion e 400 mijë lekëve të vjetra.
Njoftimi i Policisë Elbasan:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grid”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit S. Zh., 55 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur rreth 5 400 000 lekë (xhirot ditore), duke shpërdoruar detyrën menaxher i 6 pikave për shitjen e karburantit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash, që u gjet në ambientet e punës ku qëndronte ky shtetas.
Policia po punon edhe për arrestimin e 25-vjeçarit me iniciale E. B., pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash menaxherit-grabitës, me anë të mashtrimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Në një tjetër zhvillim, procedohet penalisht administratori i një lokali në Lushnjë pasi prishi qetësinë publike, duke vënë muzikë të lartë jashtë orarit të lejuar. Procedohen dhe 4 shtetas të tjerë, pasi kundërshtuan punonjësit e Policisë që ndërhynë për ndërprerjen e muzikës.
Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, në vijim të kontrolleve në terren, për zbatimin e ligjit, kanë konstatuar pas mesnatës, se në një lokal në qytet, po zhvillohej aktivitet me muzikë të lartë, që përbënte shqetësim për banorët. Gjatë ndërhyrjes për ndërprerjen e muzikës, shërbimet e Policisë janë kundërshtuar me forcë nga shtetasit G. P., A. M., V. Ç. dhe G. M.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 44 vjeç, administratori i lokalit, G. P., 49 vjeç, A. M., 41 vjeç, V. Ç., 51 dhe G. M., 44 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.