“Kur planifikojmë një udhëtim në Europë, shpesh priremi të zgjedhim vende si Parisi, Londra, Berlini ose Roma, që janë destinacione shumë të njohura dhe, për fat të keq, kjo bën që çmimet të jenë të larta”, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle “El Periódico”.
Si do të ndiheshit nëse do ju thosha se ekziston një “parajsë” që bashkon vende të trashëgimisë botërore, plazhe mahnitëse dhe akomodime me kosto të ulët? Kjo “parajsë” ekziston dhe quhet Shqipëri!
Ky vend, i vendosur në juglindje të gadishullit ballkanik europian dhe i lagur nga detet Jon e Adriatik njihet për ofrimin e një raporti të shkëlqyer cilësi-çmim, gjë që e bën atë një destinacion mjaft tërheqës për vizitorët me buxhet të kufizuar.
Nëse keni dyshime se çfarë mund të ofrojë Shqipëria, ju rekomandojmë pesë qytetet kryesore që nuk duhet t’i humbisni nëse vendosni të vizitoni vendin!
Tirana
Ndalesa e parë, është në Tiranë, kryeqyteti i vendit. Në këtë qytet, historia dhe modernja janë ndërthurur me mjeshtëri. E njohur për diversitetin e saj kulturor dhe arkitekturën plot ngjyra, Tirana njihet për frymën novatore e trashëgiminë e pasur kulturore. Ndër gjërat thelbësore, spikat sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, ku qëndron shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Muzeu Historik Kombëtar dhe Piramida e Tiranës, gjithashtu janë vende interesante, të cilat ofrojnë një dritare në të kaluarën komuniste të vendit. Një tjetër vend që duhet vizituar është Blloku, një lagje që dikur ishte shtëpia e elitës komuniste dhe sot shfaqet para nesh plot kafene, restorante e jetë nate. Nuk duhet të humbisni as një shëtitje në Parkun e Madh të Tiranës, i përsosur për t’u çlodhur pas një dite intensive duke eksploruar qytetin.
Saranda
Në jug të Shqipërisë, zbuloni Sarandën, një nga thesaret e Rivierës Shqiptare. Falë ujërave spektakolare të kristalta, po bëhet destinacion gjithnjë e më popullor. Me pamje nga deti Jon, Saranda është ideale për ata që kërkojnë të pushojnë në plazhet parajsore si Ksamili. Nëse adhuroni historinë dhe arkeologjinë, më pak se 20 minuta me makinë nga Saranda do të mund të zbuloni Butrintin. Butrniti, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mund të eksploroni rrënojat greke, romake e bizantine të rrethuar nga natyra e harlisur.
Gjirokastra
Dhe nga një vend i Trashëgimisë Botërore në tjetrin. Gjirokastra u bë pjesë e kësaj “liste të zgjedhur të UNESCO-s” në vitin 2005, falë arkitekturës osmane të ruajtur mirë, si dhe kullës, të cilat pasqyrojnë stilin tradicional ballkanik. I njohur si Qyteti i Gurtë, është një nga destinacionet më magjepsës në Shqipëri, falë rrugëve me kalldrëm e shtëpive tradicionale me çati prej guri, që ofrojnë një atmosferë magjike për ata që kërkojnë një udhëtim në të kaluarën.
Kalaja e Gjirokastrës është një vend që duhet vizituar, me pamje spektakolare të qytetit dhe një muze armësh që tregon historinë ushtarake të rajonit. Gjithashtu, nuk duhet të humbisni Shtëpinë e Zekatëve, një shembull i arkitekturës osmane, që ju kthen pas në shekullin XIX; Pazarin e Vjetër apo Kishën e Shën Sotirit, një tempull ortodoks që tregon diversitetin fetar të zonës.
Korça
Korça njihet si “Parisi i vogël” e me këtë nofkë tashmë e dimë se nuk do të zhgënjejë. Qyteti shquhet për atmosferën e tij boheme e si vendi ku u ndërtua shkolla e parë shqipe. Vizitoni Katedralen Ngjallja e Krishtit, një ndërtim mbresëlënës ortodoks që shquhet për arkitekturën e tij monumentale dhe ngjyrat e gjalla.
Muzetë janë gjithashtu një pjesë thelbësore e Korçës, si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, i cili strehon një koleksion të vlefshëm ikonash bizantine. Ashtu si në Gjirokastër, është interesante të shëtisni qytetin duke ecur nëpër Pazarin e Vjetër, i cili është restauruar.
Berati
I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve” është një nga destinacionet më magjepsës në Shqipëri, falë arkitekturës osmane dhe bukurisë natyrore. Qyteti është edhe një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e destinacion që bashkon historinë, kulturën dhe peizazhet verbuese.
Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Beratit, e ngritur mbi qytet dhe ofron pamje mahnitëse panoramike të luginës dhe Lumit Osum. Brenda kalasë, mund të eksploroni Kishën e Shën Mërisë e të shijoni një shëtitje nëpër rrugicat e saj me kalldrëm.
Eksploroni Muzeun Onufri, që strehon një koleksion të dukshëm ikonash dhe arti fetar apo lagjen e Mangalemit, e përkryer për të ecur e për të zbuluar shtëpitë tradicionale, me dritaret e tyre karakteristike. Nëse doni të zbuloni një vend me peizazhe që të lënë pa frymë, qytete të Trashëgimisë Botërore apo kuzhinë interesante, Shqipëria do t’ju befasojë.