Celebrities

“Ekziston si mundësi, nuk ka firmosur ende…”, Sylvinho po pret një ofertë nga dikush tjetër?

Top Arena është një emision i dedikuar kampionateve më të rëndësishme të futbollit, Kupa e Botës dhe Kampionati Europian i Futbollit. Që prej vitit 2006 Top Channel organizon në verë një emision të dedikuar këtyre eventeve të mëdha të futbollit. Edhe këtë vit gjatë muajve qershor-korrik çdo natë do jemi me TOP ARENA për të ndjekur nga afër Kampionatin Europian EURO 2024 që zhvillohet në Gjermani. Këtë edicion Europiani merr më shumë vlerë për pjesëmarrjen e Kombëtares shqiptare.

Gazetari i Top Channel, Endi Tufa, ka qenë në një lidhje direkte me “Top Arenën” mbrëmjen e djeshme, ku foli nëse Sylvinho do të zgjasë kontratën me Kombëtaren tonë apo jo. Sipas Tufës, parimisht ai ka rënë dakord që të firmosë kontratën edhe për dy vitet e ardhshme, por ende nuk e ka firmosur me arsyen se nuk ka gjetur kohë. Gjithashtu sipas tij, mund të ngrihen dyshime nëse Sylvinho ka pritur kaq gjatë pa firmosur kontratën, mund të jetë për shkak se mund të ketë pritur një ofertë tjetër.

Endi Tufa: A do Sylvinho të qëndrojë apo jo? Kjo është më tepër për t’u diskutuar sepse në një farë mënyre Sylvinhos i është vënë përpara kontrata edhe për eliminatoret e Botërorit, pra derisa të mbarojnë kualifikueset e Kampionatit Botëror. Që përpara mbërritjes këtu në Gjermani, nuk i ka firmosur apo nuk ka patur kohë zyrtarisht për t’u ulur për ta diskutuar, parimisht është rënë dakord por që kam përshtypjen që ka pritur diçka. Më pas përfundimi i këtyre ndeshjeve në Kampionatin Europian nëse i ka shkuar atij në favor apo në disfavor, mbetet për t’u parë.

Ed Manushi: Po thua që neve i paskemi bërë ofertë Sylvinhos, ai e ka në tavolinë, por për një arsye apo tjetër, ai nuk e ka firmosur. Pra ai është në pritje të një oferte tjetër nga dikush tjetër, sipas teje?

Endi Tufa: Jo, nuk di ta them këtë zyrtarisht, por në intervistë që kam pasur me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, e ka pranuar që kemi rënë parimisht dakord, i është bërë oferta 2 vite për kontratën e ardhshme deri në fund të eliminatorëve të Botërorit, por nuk është gjetur koha e përshtatshme, kjo është përgjigjja zyrtare. Nuk di të them nëse ka një ofertë tjetër ose jo, por që ka pritur diçka tjetër, mund të ketë pritur.