Ekuadori e Spanja thanë sot se kanë goditur një bandë trafiku drogash dhe pastrimi parash që ishte e lidhur me atë që quanin “mafia shqiptare”.
Teksa publikonin pamje të një operacioni policor në një banesë, zyrtarët ekuadorianë thonin se kishin sekuestruar 2.4 ton droga dhe rreth gjysmë milioni dollarë para të thata.
Hetimi i lidhur me “krimin e organizuar shqiptar” kishte sjellë 30 arrestime në disa aksione në qytete të Ekuadorit dhe Spanjës, njoftonin prokurorët në rrjetin X.
Ata shtonin se dymbëdhjetë nga arrestimet dhe kapja e 450,000 eurove ishin kryer në Spanjë.
Nuk u dhanë më shumë detaje për lidhjet e mundshme ‘shqiptare’ të të dyshuarve, por zhvillimi vjen pasi Ekuadori muajin që shkoi pësoi një sulm të dhunshëm të grupeve të lidhura me kartelet ndërkombëtare të drogave, ku mbetën njëzet njerëz të vdekur dhe oficerë policie të mbajtur peng në burgjet e vendit.
Para krizës së sigurisë në Ekuador, qeveria e president Daniel Noboa kishte shpallur ‘gjendje speciale’ me shtetrrethim natën për disa provinca.
Qeveria e shpalli gjithashtu vendin “në gjendje konflikti të brendshëm” duke aktivizuar përfshirjen e ushtrisë në neutralizimin e organizatave të trafikut, të cilat janë etiketuar si “terroriste” apo “luftarake”, shkruan rrjeti AFP.
Vëzhgues dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se masat janë të ekzagjeruara dhe dhe përveç luftës se supozuar ndaj bandave, shuajnë liritë themelore të njerëzve te pafajshëm.