Aktualitet Bota

Ekuadori drejt luftës civile, roli i bandave shqiptare në krizën e dhunës!

Kaosi që po përjeton Ekuadori duket të jetë episodi më i fundit i një krize të thellë dhune dhe pasigurie që e ka pllakosur këtë vend prej disa kohësh. Masakrat nëpër burgje janë shtuar, ndërsa të dhënat e policisë tregojnë se 80% e vdekjeve të dhunshme atje, lidhen me trafikun e drogës.

Pak kohë më parë, koloneli i forcave të armatosura, Alberto Molina, gishtin e akuzës e drejtonte nga bandat kriminale shqiptare, italiane dhe kineze. Pikërisht Guayaquili, qyteti ku shpërtheu dhuna më e fundit, me pamjet e mësymjes në televizionin TC, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë e që bënë menjëherë xhiron e botës, po lakohet si qendra e konfrontimit mes bandave shqiptare që kërkojnë të kontrollojnë linjat e trafikut të kokainës.

Në mediat e huaja, artikujt e lidhin mafian shqiptare atje edhe me kartele të fuqishme si Sinaloa e Choneros, grupi kriminal i fajësuar për shumë masakra në burgjet e vendit. Pikërisht kreu i Los Choneros, Adolfo Macias, i konsideruar si një prej kriminelëve më të mëdhenj në Ekuador, u arratis të dielën nga burgu, ç’ka u kthye në njërën prej shtysave të trazirave të fundit që rrezikojnë ta çojnë vendin drejt luftës civile.

Siç kujton gazeta e njohur amerikane, New York Times, për një kohë të gjatë, Ekuadori ka qenë një vend tranzit i lëndëve narkotike që vinin nga Kolumbia dhe Peruja. Por, pas vitit 2016, bandat lokale të përfshira në prodhimin dhe shpërndarjen e drogës bashkuan forcat me grupe meksikane e madje dhe ato shqiptare. Brenda tre vitesh, Ekuadori u kthye në eksportuesin më të madh të kokainës në Europë, e pohuar kjo nga Agjencia Europiane e Monitorimit të Drogave.

Grupet kriminale vendase e të huaja kishin përfituar nga fakti që aftësia e shtetit për të luftuar trafikun e drogës qe goditur nga shkurtimet në polici e ushtri, si edhe nga një sistem i dobësuar gjyqësor. Aktualisht, të paktën tre grupe të mëdha ndërkombëtare të krimit veprojnë në Ekuador, shkruante pak muaj më parë New York Times: Dy nga kartelet më të fuqishme të Meksikës, Sinaloa e Jalisco Nueva Generacion; si dhe grupi europian, të cilit policia i referohet si mafia shqiptare.