Aktualitet

Ekstradohet nga Suedia pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal!

Akuzohet për grup të strukturuar kriminal e trafik klandestinësh me skaf, ekstradohet nga Suedia një 34 vjeçar. Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka transportuar kundrejt fitimeve emigrantë sirianë, egjiptianë dhe iranianë. Më 2022-shin, GJKKO-ja i caktoi masën “Arrest me burg” në mungesë. Në vitet 2020 dhe 2021, grupi ku bënte pjesë ka transportuar ilegalisht me skaf emigrantë drejt Italisë e shteteve të BE-së.

Njoftimi zyrtar: 

Në kuadër të operacionit “Para drejtësisë” u ekstradua nga Suedia, pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal. Grupi ku bënte pjesë ky shtetas, gjatë viteve 2020 dhe 2021, ka transportuar emigrantë, drejt shteteve të BE-së, ilegalisht, me skaf.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Suedi, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Suedi, K. K. alias K. M., 34 vjeç, i lindur në Fier.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi K. K. alias K. M. akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka transportuar ilegalisht me skaf drejt Italisë dhe shteteve të tjera, kundrejt fitimeve, emigrantë sirianë, egjiptianë dhe iranianë.