Aktualitet

Ekstradohet nga Austria 26-vjeçari në kërkim ndërkombëtar!

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Austri u finalizua procedura për ekstradimin në vendin tonë të shtetasit N.A, 26 vjeç, i lindur në Bulqizë.

Ai ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Elbasanit në vitin 2022 e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg. Në vitin 2021, u konstatua se ky shtetas në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, në vendin e quajtur “Ura e Lizës”, transportonte me furgon, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, 10 emigrantë nga Siria që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe kishin destinacion shtetet e BE-së.

Shtetasi N.A, do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet.

Italia e kërkonte për trafik droge, arrestohet në Durrës një 41-vjeçar. Ermal Luku u kap si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore e të shkëmbyera me partnerët në vendin fqinj, në vijim të  operacionit të koduar “Tornado”. Luku është nën hetim për lidhje me një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Njoftimi zyrtar:

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 18”, duke arrestuar një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në vijim të operacioneve për kapjen e personave të kërkuar, policia ka zbardhur informacionet e siguruara nga inteligjenca dhe ka bashkëpunuar me autoritetet italiane.

Gjatë operacionit, u arrestua Ermal Luku, 41 vjeç, banues në Manzë, Durrës, i cili ishte nën hetim për lidhje me një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Brescias në Itali më 29 Shtator 2024. 41-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal.

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale njofton se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Interpol Tiranën dhe Interpol Romën për të siguruar ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.